Me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të projektligjit ka thënë se marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo ka theksuar se marrëveshja parasheh respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe garantimin e procesit të rregullt ligjor.
“Duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe garancitë e procesit të rregullt ligjor. Për Republikën e Kosovës, marrëveshje të tilla përfaqësojnë një dimension të rëndësishëm të bashkëpunimit evropian dhe të forcimit të kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit. Në bazë të nenit 18 të Kushtetutës, duke qenë se marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, kërkohet edhe ratifikimi i saj nga Kuvendi. Prandaj, të nderuar deputetë, ju ftoj ta mbështesni këtë projekt”, ka deklaruar Gërvalla.
Mbështetjen për ratifikimin e marrëveshjes e kanë shprehur edhe grupet parlamentare të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës.