Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, në një moment të ndjeshëm politik për mazhorancën.
Dy protestat e zhvilluara në Tiranë, ajo e njohur si “Flamingo” dhe protesta studentore, e cila u përshkallëzua gjatë muajit tetor, pritet të jenë ndër çështjet që do të vënë në provë mesazhet politike të kryeministrit Edi Rama përpara strukturave të partisë.
Mbledhja do të nisë në orën 10:00, ndërsa mbetet për tu parë nëse kryeministri do të japë një përgjigje për klimën e tensionuar politike, protestat kundër tij dhe zhvillimet e fundit brenda kampit socialist.
Asambleja e fundit është mbajtur më 21 mars të këtij viti, po në Gjirin e Lalzit, ku u njoftuan edhe ndryshime në drejtuesit politikë.












