Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë shkaktuar problematika në disa zona të Qarkut të Kukësit, ku vijojnë ndërprerjet e energjisë elektrike në një numër të konsiderueshëm njësish administrative dhe lagjesh.
Sipas informacionit të situatës së raportuar deri në orën 08:50 të datës 13 nëntor 2026, i gjithë territori i qarkut është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar, të shoqëruara me erë të fortë.
Pa energji elektrike në disa zona të Kukësit, Hasit dhe Tropojës
Në Bashkinë Kukës, furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në Njësitë Administrative Zapod, Shishtavec, Topojan, Malzi, Kolsh, Surroj dhe Tërthore, si dhe në lagjet nr. 1, 2 dhe 3 të qytetit të Kukësit.
Problematika raportohen edhe në Bashkinë Has, ku pa energji elektrike janë qyteti i Krumës, Njësia Administrative Fajza, fshatrat Kishaj dhe Pogaj, Njësia Administrative Gjinaj dhe Njësia Administrative Golaj.
Ndërsa në Bashkinë Tropojë, ndërprerjet e energjisë prekin fshatrat Dragobi, Çerem dhe Dunishë, Njësinë Administrative Margegaj, Njësinë Administrative Tropojë dhe Njësinë Administrative Fierzë.
Rënie gurësh në rrugë dhe dëmtime në banesa
Përveç problemeve me furnizimin me energji elektrike, reshjet kanë shkaktuar edhe rënie inertesh dhe gurësh në disa segmente të rrugëve nacionale.
Në Bashkinë Tropojë është evidentuar rënie gurësh në aksin rrugor Margegaj–Valbonë. Gjithashtu, Kanali i Krasniqes ka pasur prurje të mëdha uji, megjithëse pritat janë të hapura. Deri në momentin e raportimit nuk janë konstatuar përmbytje, ndërsa janë evidentuar dëmtime në çatitë e disa banesave.
Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha akset rrugore nacionale vijojnë të jenë të kalueshme, ndërsa subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e segmenteve ku janë konstatuar problematika.
© SYRI.net