Veliaj hap frontin ligjor me Burgjet, kallëzon Sadleva Bodon
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ndërmarrë një nismë ligjore ndaj drejtueses së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Sadleva Bodo, duke e kallëzuar penalisht për veprën e shpërdorimit të detyrës. Shkak për këtë kallëzim është bërë transferimi i tij nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit.
Kallëzimi është depozituar në Prokurorinë e Tiranës nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca. Në pretendimet e paraqitura, kryebashkiaku kundërshton ligjshmërinë e vendimit për transferimin e tij, duke kërkuar që organi i akuzës të hetojë nëse drejtuesja e sistemit penitenciar ka vepruar në përputhje me kompetencat dhe dispozitat ligjore.
Çështja lidhet me vendimin për ndryshimin e institucionit ku Veliaj po mbahet në paraburgim, një veprim të cilin ai e konsideron të paligjshëm dhe për të cilin kërkon të përcaktohet përgjegjësia penale e drejtueses së Burgjeve.
Ndërkohë, pas mbërritjes në burgun e Fierit, Veliaj ka ngritur edhe pretendime për kërcënime në emër të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, këto kërcënime janë artikuluar gjatë një vizite që ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i ka zhvilluar në ambientet e burgut.
Për momentin, pretendimet e Veliajt për paligjshmërinë e transferimit dhe përgjegjësinë e Sadleva Bodos përbëjnë objektin e kallëzimit, ndërsa mbetet në dorën e Prokurorisë së Tiranës të vlerësojë rrethanat dhe të vendosë nëse do të nisë hetimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



