Nga rekrutimi i shpërndarësve përmes TikTok-ut, te telefonat me lista klientësh që shiten deri në 300 mijë paund. Një investigim njëvjeçar i Sky News ka zbuluar se si rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar kontrollin mbi tregun e kokainës në Britaninë e Madhe. Në dokumentar ka folur edhe kreu i seksionit të hetimit të krimit të organizuar në SPAK, Vladimir Mara, i cili ka treguar se ku investohen paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Investigimi i gazetarit britanik John Sparks, i titulluar “Bosët e drogës në derën ngjitur: Si e kanë transformuar bandat shqiptare tregtinë e kokainës në Britani”, dokumenton mënyrën se si funksionojnë këto rrjete, nga furnizimi ndërkombëtar me drogë deri te shitja në rrugët britanike.
Për të depërtuar në këto grupe, gazetarët e Sky News përdorën identitete të rreme, telefona të posaçëm dhe një bashkëpunëtor shqipfolës, duke zhvilluar takime me persona të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në qytete si Exeter dhe Royal Tunbridge Wells.
Një nga zbulimet e investigimit lidhet me lehtësinë e rekrutimit të shpërndarësve të rinj. Përmes njoftimeve në rrjetet sociale, përfshirë TikTok-un, një person mund të përfshihet në shpërndarjen e drogës brenda pak minutash.
Në një takim të regjistruar në Exeter, një rekrutues i identifikuar si “Leo” i ofroi bashkëpunëtorit të gazetarëve deri në 280 paund në ditë për të shpërndarë kokainë.
Por shpërndarësit nuk duhet të kërkojnë vetë klientë. Sipas investigimit, rrjetet kriminale u japin telefona me lista të gatshme personash që blejnë drogë. Këta telefona, për shkak të klientelës që përmbajnë, mund të shiten në tregun e zi deri në 300 mijë paund.
Sistemi i shpërndarjes është organizuar në mënyrë të tillë që porositë e kokainës të konfirmohen dhe droga të dorëzohet te klientët brenda 30 minutash.
Sipas ekspertëve të cituar në investigim, grupet kriminale shqiptare sigurojnë fitime të mëdha pasi kontrollojnë të gjithë zinxhirin e trafikut, nga importimi i kokainës në Britani deri te shitja e saj në rrugë.
Vladimir Mara i SPAK: Investojnë në Shqipëri dhe vendet e BE-së
Pjesë e dokumentarit është edhe kreu i seksionit të hetimit të krimit të organizuar në SPAK, Vladimir Mara, i cili flet për investimet e grupeve kriminale shqiptare dhe përpjekjet e tyre për të krijuar ndikim në vendet ku ushtrojnë aktivitetin.
“Ne kemi konstatuar që këto grupe kriminale kanë pasur investime në vende të ndryshme të BE-së. Patjetër që ka pasur investime në Shqipëri. Ata kanë investuar në apartamente, ka pasur investime të pjesshme, të copëzuara, diku në pasuri të paluajtshme, restorante, vila banimi. Këta njerëz mundohen të kenë influencë në çdo vend ku ushtrojnë aktivitetin. Veprimet i kryejnë në funksion të përfitimeve të mëdha të paligjshme e në kohë të shpejtë”, deklaron Mara.
Por gjatë investigimit gati njëvjeçar, gazetari i Sky News zbuloi se aktiviteti i këtyre rrjeteve nuk kufizohej vetëm te tregtia e kokainës. Në TikTok ai hasi një njoftim në gjuhën shqipe ku shkruhej: “Transportojmë djem me probleme nga Britania drejt Europës. Udhëtim i sigurt çdo javë”.
Duke përdorur një llogari të fshehtë, gazetari kontaktoi personin që kishte publikuar njoftimin. Ky i fundit i ofroi mundësinë për të nxjerrë nga Britania një person që kishte probleme me policinë, duke e transportuar me kamion kundrejt 2,500 paundëve.
Investigimi solli në vëmendje edhe lidhjet mes trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm. Matthews intervistoi një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me gomone dhe më pas ishte përfshirë në aktivitetin e drogës.
Shqiptari, i cili tashmë ishte kthyer në Shqipëri, tregoi në kushte anonimiteti se të afërmit i kishin paguar udhëtimin drejt Britanisë me kusht që të punonte për trafikantët shqiptarë. Pas mbërritjes, ai ishte larguar nga hoteli ku qëndronte si emigrant dhe kishte shkuar të punonte në një fermë kanabisi në Mançester.
I pyetur nëse edhe persona të tjerë në gomonen me të cilën kishte udhëtuar kishin të njëjtin qëllim, ai u përgjigj: “Po. Shumica ishin nisur me këtë ide në mendje”.

Një takim në një kafene, një patentë që mund të zbulonte gjithçka dhe një tjetër takim brenda makinës së një trafikanti, ku gazetari kishte frikë se mund të ishte një kurth. Chris Matthews, pjesë e ekipit investigativ të Sky News që hetoi për gati një vit grupet kriminale shqiptare në Britani, ka rrëfyer prapaskenat e operacionit të fshehtë dhe mënyrën se si gazetarët arritën të depërtonin në rrjetet e shpërndarjes së kokainës.
Matthews tregon se ideja për t'u infiltruar nisi nga njoftimet që i shfaqeshin në TikTok. Si gazetar i specializuar në krimin e organizuar, ai kishte hasur shpesh reklama në gjuhën shqipe që ofronin punë si shofer, me pagesa të mira, karburant dhe strehim të përfshirë.
Askund nuk thuhej se çfarë duhej të transportonin shoferët. Disa prej njoftimeve shoqëroheshin me simbolin e flokut të dëborës, që përdoret si referencë për kokainën. Gazetari kishte mësuar disa shprehje në shqip nga rrjetet sociale dhe kontaktet e tij shqiptare, aq sa për t'u shkruar personave që publikonin njoftimet. Por problemi nisi kur ata kërkuan të flisnin në telefon. Matthews kishte vënë re se trafikantët tregoheshin dyshues ndaj personave që nuk ishin shqiptarë.
Për këtë arsye, ai gjeti një bashkëpunëtor shqipfolës, identiteti i të cilit vazhdon të mbahet i fshehtë. Së bashku me gazetarin që do të zhvillonte takimet, krijuan një histori të besueshme: ai kishte shitur më parë drogë për shqiptarët, ishte larguar nga ky aktivitet, por tani kishte nevojë për para dhe kërkonte të rikthehej.
Gazetarët përdorën identitete të rreme dhe një telefon të posaçëm për të mos zbuluar të dhënat e tyre personale. Përpara takimeve, ekipi kaloi kohë duke vlerësuar rreziqet, përfshirë mundësinë që trafikantët t'i identifikonin apo t'i gjurmonin edhe pas përfundimit të investigimit.
Takimi i parë u zhvillua në një kafene të mbushur me klientë në Exeter, rreth orës 10:30 të mëngjesit. Ndërsa njerëzit përreth pinin kafenë, një trafikant i quajtur “Leo” po zhvillonte një intervistë pune për shpërndarjen e kokainës, pa e ditur se personi përballë tij ishte gazetar dhe po e filmonte fshehurazi.
Brenda pak minutash, “Leo” i ofroi strehim, një listë çmimesh dhe punë. Madje, donte që ai të fillonte menjëherë.
“Fillo punë tani. Për shembull, në orën 12:00 mund të fillosh, apo jo?”, i tha ai.
Por pikërisht gjatë kësaj bisede ndodhi momenti që mund ta kishte zbuluar gjithë operacionin. Trafikanti i kërkoi gazetarit patentën. Nëse do t'ia tregonte, ai do të mësonte emrin dhe adresën e tij të vërtetë.
Gazetari reagoi menjëherë, duke pretenduar se e kishte harruar portofolin në makinë. Për ta bërë historinë më të besueshme, shpjegoi se pikërisht për këtë arsye i kishte paguar kafetë me telefon. Më pas premtoi se do t'ia dërgonte fotografinë e patentës.
“Leo” e pranoi shpjegimin dhe vazhdoi bisedën. Matthews tregon se ajo që e habiti ishte mënyra se si trafikanti fliste për çmimet e kokainës dhe uljet për klientët që blinin disa doza, sikur po punësonte dikë në një supermarket.
Kur gazetari i infiltruar e pyeti nëse policia përbënte problem, përgjigjja ishte e shkurtër: “Nuk është problem”. Por takimi në Exeter nuk ishte i vetmi.
Në Wigan, gazetarët organizuan një tjetër takim, këtë herë në një makinë të parkuar pranë një këndi lojërash për fëmijë. Gazetari i infiltruar kishte frikë se mund të ishte një kurth. Nëse hynte në makinë, drejtuesi mund të largohej me të brenda. Megjithatë, vendosi të hynte.
Burri që ndodhej në timon po pinte cigare dhe kishte tatuazhe të dukshme në krahë. Ai i ofroi gazetarit 280 paund në ditë, në para në dorë, për të shpërndarë kokainë. Brenda pak minutash, gazetari kishte marrë një tjetër ofertë pune.
Një tjetër moment që Matthews veçon në rrëfimin e tij lidhet me një porosi droge që bëri kolegu i tij, John Sparks, në Royal Tunbridge Wells. Sparks porositi kokainë dhe brenda pak minutash mori një mesazh që i premtonte dorëzimin për gjysmë ore.
“Në disa pjesë të Britanisë, duket se kokaina mund të mbërrijë më shpejt se një picë”, shkruan Matthews. Pamjet e regjistruara fshehurazi në Exeter habitën edhe David McKelvey, një ish-oficer policie që kishte ndihmuar në zhvillimin e operacioneve të infiltrimit kundër bandave shqiptare.
“Vetëm nga videoja, nëse do të ishe polic, do ta arrestoje. Do të shkoje menjëherë te adresa që ai sapo tregoi, do ta kontrolloje dhe ndoshta do të gjeje drogë”, u shpreh McKelvey.
Sipas ish-oficerit, trafikanti mund të përballej me pesë deri në tetë vite burg, megjithatë fliste hapur për aktivitetin e tij në një kafene publike. Për Matthews, pikërisht kjo ishte një nga gjërat më të habitshme të hetimit: lehtësia me të cilën personat e përfshirë në shpërndarjen e kokainës diskutonin për aktivitetin e tyre me njerëz që sapo i kishin takuar.












Komente
Komento