Evropa përfshihet në negociatat Ukrainë-Rusi, Zelenski dhe Kushner konfirmuan se BE do të jetë pjesë e raundit të ardhshëm
Nga Dublini, ku u takua me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, presidenti i Ukrainës njoftoi se përfaqësuesit europianë nuk do të qëndrojnë më jashtë tryezës së negociatave mes vendit të tij dhe Rusisë, siç ndodhi në Abu Dhabi, por do të marrin pjesë drejtpërdrejt në diskutimet e ardhshme për t’i dhënë fund luftës.
“Ata do të kenë zërin e tyre. Kjo është e rëndësishme për ne, sepse lufta është në Evropë”- deklaroi Zelenksy pas bisedimeve të dërguarit amerikanë. Kushner dhe Witkoff zhvilluan më shumë se katër orë bisedime në Kremlin me presidentin rus Putinin, përpara se të udhëtonin drejt Dublinit, ku informuan Zelenskyn për takimin.
Në krah të këtij të fundit, edhe dhëndri i presidentit Trump konfirmoi se të dyja palët kishin rënë dakord për zgjerimin e raundit të ardhshëm të negociatave, duke përfshirë partnerët europianë. Ai pranoi se mes palëve ka ende dallime të konsiderueshme, por u shpreh i inkurajuar nga përparimi i arritur gjatë bisedimeve të fundit në Abi Dhabi.
Ndërkohë, takimi me Putinin nuk dha shenja për një zbutje të qëndrimit të Moskës. Presidenti rus përsëriti kërkesat për kontrollin e territoreve ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar dhe kundërshtoi vendosjen e trupave të huaja paqeruajtëse në Ukrainë. Lideri rus hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e krijimit të zonave të çmilitarizuara mes forcave ruse dhe ukrainase, duke këmbëngulur se vija e vetme e ndarjes duhet të jetë kufiri shtetëror.
Nga ana tjetër, udhëheqësit europianë kanë kundërshtuar idenë e rishikimit të arkitekturës së sigurisë në kontinent, një kërkesë e hershme e Moskës. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se nuk ka nevojë të krijohet një kuadër i ri sigurie, duke akuzuar Rusinë se e ka cenuar atë përmes pushtimit të Ukrainës. Në një deklaratë të mbështetur nga Franca, 39 vende theksuan se çdo çështje që prek sigurinë europiane duhet të vendoset me pjesëmarrjen e vetë europianëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




