Një prej drejtuesve të organizatës së armatosur kriminale “Barış Boyun”, e njohur për aktivitetin e saj në Turqi dhe në arenën ndërkombëtare, është arrestuar në Azerbajxhan.
Sipas mediave turke, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit, autoritetet azerbajxhanase kanë vënë në pranga Mehmet Recep Demirin, i cili dyshohet se kishte një rol drejtues në organizatën kriminale.
Demir është arrestuar dhe më pas është lënë në paraburgim në bazë të dispozitave të Kodit Penal të Azerbajxhanit për kalimin e paligjshëm të kufirit.
48 urdhër-arreste në ngarkim të tij
Sipas informacioneve të bëra publike, ndaj Mehmet Recep Demirit rëndojnë 48 urdhër-arreste të veçanta.
Pas arrestimit të tij, Prokuroria e Stambollit ka përgatitur një kërkesë zyrtare drejtuar autoriteteve gjyqësore të Azerbajxhanit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Turqisë.
Autoritetet turke synojnë që Demiri të dorëzohet në Turqi për t’u përballur me drejtësinë në kuadër të hetimeve për aktivitetin e organizatës kriminale “Barış Boyun”.
Arrestimi i tij konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në operacionet kundër këtij rrjeti kriminal, i cili dyshohet se ka shtrirë aktivitetin përtej kufijve të Turqisë.
