Partia e Lirisë kritikon bordin e Transparencës se luan me uljen simbolike të çmimeve pa sjellë lehtësi reale për konsumatorin, Kuvendit i kërkon të kalojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin e PL-së për pezullimin deri në mars të vitit 2028 të komponentëve fiskalë që rëndojnë çmimin e karburanteve
"Nafta është bërë një luks për shqiptarët, ndërsa pasojat e çmimeve të larta ndihen në çdo familje, biznes dhe sektor të ekonomisë dhe në fund, faturën e paguan gjithmonë qytetari, i cili përpiqet të mbijetojë me të ardhura që nuk përballojnë më as nevojat elementare.
Fermeri paguan më shumë për të punuar tokën, biznesi për të mbajtur aktivitetin, transportuesi për të lëvizur dhe konsumatori për të jetuar. Ky është zinxhiri i varfërimit që po godet ekonominë shqiptare, ndërsa Edi Rama vazhdon të fshihet pas justifikimeve dhe propagandës.
Ndërkohë, edhe i ashtuquajturi Bord i Transparencës është kthyer në një fasadë që luan me çmimet sa për sy e faqe. Ndryshime simbolike, disa lekë më pak sot e disa më shumë nesër, sikur shqiptarët të mos e kuptojnë se kjo lëvizje nuk sjell asnjë lehtësim real. Bordi nuk mund të përdoret si alibi për të mbuluar mungesën e masave konkrete dhe për t'i shitur qytetarëve propagandë si zgjidhje.
Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend një projektligj konkret për uljen e çmimit të karburanteve, që parashikon pezullimin deri në mars të vitit 2028 të dy komponentëve fiskalë që rëndojnë çmimin e benzinës, naftës dhe biokarburanteve. Një nismë që synon të sjellë lehtësim të drejtpërdrejtë për familjet, fermerët dhe bizneset, si dhe të frenojë efektin zinxhir të shtrenjtimit të jetesës.
Qeveria nuk ka më asnjë justifikim për të mos vepruar. Projektligji është në Kuvend dhe kërkon një përgjigje të qartë: do të mbrojë interesin e qytetarëve apo do të vazhdojë t'i braktisë ata përballë një krize që po u gërryen çdo ditë të ardhurat?
Është e papranueshme që Shqipëria, me paga ndër më të ulëtat në Europë, të ketë çmime karburantesh ndër më të lartat në rajon. Edi Rama nuk mund të fshihet pas tregjeve ndërkombëtare, kur ka në dispozicion instrumente konkrete për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.
Kërkojmë miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit të Partisë së Lirisë, mbështetje konkrete për fermerët dhe bizneset dhe masa të menjëhershme për të frenuar shtrenjtimin e jetesës.
Mjaft me propagandën! Mjaft me lojërat e Bordit të Transparencës! Mjaft me një qeveri që kërkon sakrifica të përditshme nga shqiptarët, por refuzon të marrë përgjegjësi për varfërimin e tyre!
Kur qytetarët nuk përballojnë dot më karburantin, kur fermerët nuk përballojnë dot kostot e prodhimit dhe çdo produkt bëhet më i shtrenjtë, problemi nuk është vetëm çmimi i naftës. Problemi është një qeverisje që nuk po mbron qytetarët e saj!" tha Arla Merja









Komente
Komento