Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Austri, ku një 47-vjeçar shqiptar nga Kosova dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 38-vjeçare.
Për ngjarjen akuzohet edhe një tjetër shtetas nga Kosova, 45 vjeç, i cili dyshohet se i kishte siguruar armën e krimit, duke e ditur se ai kishte ndërmend të vriste gruan.
Sipas medias austriake “Heute”, 47-vjeçari ishte ndarë nga bashkëshortja dhe dyshohet se kishte krijuar bindjen se ajo ishte shtrigë dhe merrej me magji të zezë.
Ditën e ngjarjes, ai dyshohet se e ka qëlluar tre herë me pistoletë të tipit Beretta, ndërsa më pas e ka goditur rreth 40 herë me kaçavidë në pjesën e sipërme të trupit.
Një tjetër element tronditës i çështjes lidhet me gjendjen e tij psikike. Sipas raportimit, edhe gjatë qëndrimit në burg, 47-vjeçari vijonte të fliste për magjinë e zezë dhe demonët. Në një raport mjekësor ai është vlerësuar si person me çrregullime psikotike dhe është konsideruar i paaftë për të mbajtur përgjegjësi penale.
Ndërkohë, 45-vjeçari që dyshohet se i siguroi armën akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit, megjithëse ishte në dijeni të qëllimit të autorit.
Hetimet dhe vlerësimet mjekësore kanë nxjerrë në pah detaje të rënda mbi rastin, ndërsa çështja po trajtohet nga autoritetet austriake.












