Pullat postare, përtej funksionit të tyre tradicional të komunikimit, mund të shërbejnë edhe si një formë e veçantë arti dhe solidariteti. Artistja hungareze Judit Szendrei ka sjellë në Memaliaj një ekspozitë të veçantë, ku përmes pullave postare krijon portrete, objekte dhe histori figurative. Në galerinë e Arteve “Kalo”, ekspozita ka tërhequr artdashës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Përmes kolazheve artistike, artistja ndërthur historinë dhe kulturën me artin, duke i dhënë pullave postare një tjetër dimension. Këtij projekti artistik i bashkohet edhe një mision humanitar, në mbështetje të kauzës së personave me Sindromën Down.