Aksion antidrogë në Qerret, 35-vjeçarit i gjendet kanabis në banesë, përfundon në pranga

Një 35-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Qerret të Durrësit, pasi dyshohet se posedonte lëndë narkotike Cannabis Sativa me qëllim shitjen.
Në kuadër të kontrolleve për goditjen e veprimtarisë së shpërndarjes së narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan shtetasin me inicialet L. K., banues në Qerret.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 35-vjeçarit një sasi të dyshuar kanabisi. Ndërkohë, gjatë kontrollit të mëtejshëm në banesën e tij, u zbulua edhe një sasi tjetër e së njëjtës lëndë narkotike.
E gjithë sasia e kanabisit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ndaj të arrestuarit janë referuar materialet në Prokurori për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Hetimet për rastin vijojnë.




