Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sërish ligjin e ndryshuar për Dhomat e Specializuara në Hagë, me të njëjtën përmbajtje të miratuar më 6 tetor, të cilin presidentja Justina Shiroka Pula e ktheu për rishqyrtim më 22 tetor. Nëse të paktën 61 deputetë votojnë pro, vetoja e Kryetares së Shtetit rrëzohet dhe ligji konsiderohet i miratuar.
Kërkesa erdhi nga kryetarja në detyrë e PDK-së Vlora Çitaku, e cila bëri thirrje një ditë më parë për miratimin e ligjit të kthyer nga presidentja pa asnjë ndryshim duke premtuar se partia e saj do të paraqesë nismën e re ligjore më 16 nëntor, ndërsa propozoi që amendimi i tij të përfundojë brenda 2 javësh.
Presidentja Shiroka Pula ktheu ligjin në Kuvend me kërkesën e PDK-së që të bëheshin disa ndryshime, për të cilat partia opozitare dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ranë dakord, që të bëheshin në këtë fazë, por pas miratimit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi se nismën e PDK-së do ta mbështesë me votë edhe në Kuvend.
Lidhur me këtë proces, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë shprehu shqetësim për ndikimin e ndryshimeve në detyrimet ndërkombëtare të Kosovë dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, ndërsa ka ngritur edhe pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e ndryshimeve të bëra në Ligjin për Gjykatën Speciale.










