Lëvizte me taksi, i armatosur me pistoletë, arrestohet në rrugën “Sami Frashëri”, një 30-vjeçar, banues në Thumanë.
Në pranga edhe pasagjeri tjetër në mjet, i cili shoqëronte 30-vjeçarin.
Të dy të arrestuarit, shtetas me precedentë penalë.
Ata kundërshtuan me dhunë, efektivët që i shoqëruan, dhe dëmtuan ambientet e komisariatit.
Sekuestrohet arma e zjarrit me 15 fishekë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar gjatë punës operative, për një shtetas që kishte lëvizur me armë zjarri me vete, nga Kruja drejt Tiranës, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Taksimetri”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit P. Sh., 30 vjeç dhe R. H., 25 vjeç, të dy banues në fshatin Thumanë.
Taksia në të cilën ishte pasagjer shtetasi i dyshuar, P. Sh., u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”.
Gjatë kontrollit fizik, 30-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën e posedonte pa leje.
Me të njëjtin mjet lëvizte edhe 25-vjeçari, i cili nuk kishte kallëzuar krimin.
Të dy shtetasit kanë goditur punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, dhe më pas, kanë dëmtuar ambientet e dhomës së shoqërimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.
