E premte, 13 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
7 zarfe me para në banesën e Arben Vojës, si u grabitën u shitën tokat shtetërore
Lajme

7 zarfe me para në banesën e Arben Vojës, si u grabitën u shitën tokat shtetërore

Prokuroria e Fierit ka zbardhur detaje nga një hetim për tjetërsimin e paligjshëm të një sipërfaqeje prej 44.100 metrash katrorë tokë në fshatin Povelçë, e cila rezulton të ketë qenë pronë shtetërore, por që përmes një serie dokumentesh të dyshuara si të falsifikuara është regjistruar në emër të një familjeje dhe më pas është shitur për 88.200 euro.

Hetimet kanë çuar në marrjen e masave të sigurisë ndaj pesë personave, mes tyre Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit, i cili në kohën kur dyshohet se janë kryer veprimet e paligjshme drejtonte Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier.

Në të njëjtën çështje janë përfshirë edhe Dilaver Shyti, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, dy punonjës të Kadastrës, Fjorelo Bida dhe Arbina Jaupaj, si dhe noterja Anila Haxhiu. Sipas Prokurorisë, skema dyshohet se është realizuar përmes përdorimit të dokumenteve me përmbajtje të rreme, ndërhyrjeve në regjistrat kadastralë dhe përfaqësimit të pronarëve pa dijeninë e tyre.

Nga toka shtetërore te prona private, si u realizua skema

Në qendër të hetimit është një sipërfaqe toke prej 44.100 metrash katrorë në fshatin Povelçë të Fierit. Prona rezultonte e regjistruar në Librin e Ngastrave në pronësi të shtetit, por dyshohet se është kaluar në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh dhe veprimesh administrative që Prokuroria i konsideron të dyshimta.

Sipas hetimeve, për regjistrimin e kësaj pasurie janë përdorur një certifikatë pronësie e vitit 2007, për të cilën ekzistojnë dyshime të bazuara se është e falsifikuar, një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, si dhe dy prokura noteriale që dyshohet se janë hartuar në kundërshtim me rrethanat reale.

Një nga elementet që ka ngritur dyshime gjatë hetimit lidhet me mënyrën e sigurimit të firmave në prokurat noteriale. Sipas Prokurorisë, nënshkrimet e personave që figuronin si përfaqësues janë marrë në fletë të bardha, pa përmbajtje, ndërsa njëra prej personave që rezultonte e përfaqësuar ndodhej jashtë territorit të Shqipërisë në momentin e hartimit të dokumentit.

Për të mundësuar regjistrimin e sipërfaqes prej 44.100 metrash katrorë, dyshohet se janë përdorur të dhënat dhe referencat kadastrale të një prone tjetër, për të cilën familja dispononte dokumentacion pronësie.

Konkretisht, shtetasi A.P. ishte pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi për një sipërfaqe totale prej 25.800 metrash katrorë, ku përfshiheshin disa ngastra. Për njërën prej tyre, me sipërfaqe 4.000 metra katrorë, ishte lëshuar edhe certifikatë pronësie në vitin 2007.

Pikërisht referencat e kësaj prone dhe data e certifikatës dyshohet se janë përdorur për të regjistruar në emër të së njëjtës familje edhe sipërfaqen prej 44.100 metrash katrorë, ndonëse për këtë të fundit nuk ekzistonte asnjë titull pronësie. Po ashtu, në dosjen përkatëse nuk rezulton të jetë paraqitur asnjë aplikim për regjistrimin e saj.

Prona u shit për 88.200 euro, paratë përfunduan në llogarinë e përfaqësuesit

Pas regjistrimit në emër të familjes, toka u shit më 30 janar 2023 te persona të tretë, të cilët synonin ta përdornin për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Vlera e përcaktuar në kontratën e shitjes ishte 88.200 euro.

Sipas Prokurorisë, roli kryesor në këtë fazë dyshohet se i përket Dilaver Shytit, ish-kryetarit të Njësisë Administrative Dërmenas, i cili kishte vepruar si përfaqësues me prokurë i familjes që figuronte si pronare e tokës.

Hetuesit dyshojnë se Shyti kishte gjetur blerësit, kishte negociuar dhe përcaktuar çmimin, si dhe kishte nënshkruar kontratën e shitjes pa dijeninë dhe pëlqimin e personave që pretendonin se ishin pronarët e ligjshëm të pasurisë.

Një tjetër element që po hetohet është destinacioni i parave të përfituara nga transaksioni. Shuma prej 88.200 eurosh dyshohet se është transferuar në llogarinë bankare të përfaqësuesit me prokurë dhe nuk u është dorëzuar personave që figuronin si shitës. Prokuroria ngre gjithashtu dyshime se vlera e deklaruar në kontratë nuk përfaqësonte çmimin real të shitjes së pronës.

Ndërkohë, dokumentacioni përfundimtar i pasurisë, përfshirë kartelën e rifreskuar dhe fragmentin e hartës kadastrale, ishte lëshuar nga Kadastra Fier më 25 janar 2023, vetëm pesë ditë përpara nënshkrimit të kontratës.

Kalimi i pronësisë në regjistrat kadastralë u krye më 14 shkurt 2023. Sipas organit të akuzës, ky veprim është realizuar pa u kryer verifikimet e kërkuara nga ligji për kadastrën, lidhur me vlefshmërinë e titullit të pronësisë dhe përputhjen e palëve shitëse me personat e regjistruar si pronarë të pasurisë.

15 mijë euro për të tërhequr kallëzimin

Një tjetër episod i evidentuar gjatë hetimeve lidhet me një shumë prej 15.000 eurosh, e cila dyshohet se u është dorëzuar personave të dëmtuar pasi çështja ishte kallëzuar në organet kompetente.

Sipas Prokurorisë, Dilaver Shyti dyshohet se ua ka dhënë këto para në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin për tjetërsimin e tokës.

Hetimi nisi pas kallëzimit të shtetasit A.P., i cili pretendoi se një sipërfaqe toke arë në Povelçë ishte regjistruar dhe tjetërsuar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij.

Procedimi penal nr. 1730 është regjistruar më 29 shtator 2026, pas referimit të çështjes nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

Shtatë zarfe me para në banesën e Arben Vojës, sekuestrohen mijëra euro dhe fishekë

Kontrollet e kryera në kuadër të hetimit kanë zbuluar edhe një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e Prokurorisë. Në banesën e Arben Vojës në Fier, brenda një sirtari të mbyllur me çelës, janë gjetur shtatë zarfe me para, të cilat mbanin emra dhe shënime të ndryshme.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar në total:

  • 31.720 euro;

  • 608.000 lekë;

  • 5.000 korona norvegjeze;

  • 1.400 dollarë kanadezë.

Përveç shumave monetare, në të njëjtën dhomë janë gjetur edhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe 55 fishekë për armë gjahu.

Paratë dhe municionet janë sekuestruar si pjesë e veprimeve hetimore, ndërsa prania e tyre në banesë po trajtohet në kuadër të verifikimeve të Prokurorisë.

Pesë të dyshuarit dhe veprat penale për të cilat po hetohen

Në bazë të provave të administruara deri në këtë fazë, Prokuroria e Fierit ka ngritur dyshime për përfshirjen e pesë personave në veprime të ndryshme të skemës së dyshuar.

  • Dilaver Shyti, ish-kryetar i Njësisë Administrative Dërmenas, dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

  • Arben Voja, ish-drejtor i Kadastrës Fier, dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.

  • Fjorelo Bida, specialist jurist në Kadastrën Fier, dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.

  • Anila Haxhiu, notere me zyrë në Fier, dyshohet për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre, në bashkëpunim.

  • Arbina Jaupaj, specialiste hartografe në Kadastrën Fier, dyshohet për shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër prej personave nën hetim, ndërsa për Arbina Jaupajn janë vendosur masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Gjithashtu, është vendosur sekuestro mbi tokën arë me sipërfaqe 44.100 metra katrorë, objekt i hetimit.

Dyshime për tjetërsimin e pronave të tjera shtetërore

Hetimet nuk janë kufizuar vetëm te sipërfaqja e tokës në Povelçë. Prokuroria bën me dije se janë evidentuar dyshime që e njëjta mënyrë veprimi mund të jetë përdorur edhe për tjetërsimin e pasurive të tjera në pronësi të shtetit.

Për këtë arsye, hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat, për të identifikuar personat e tjerë që mund të kenë pasur rol në këtë skemë dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit.

Çështja mbetet në fazën e hetimit dhe personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Njoftimi: 

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u caktua masa e sigurimit ‘Arrest në burg’ ndaj shtetasve nën hetim, D.Sh., A.V., F.B. dhe A.H., si dhe masat personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim A.J., nën akuzë për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 143, 186, 248 dhe 287, të Kodit Penal. Gjithashtu u vendos sekuestro mbi pasurinë e llojit “Arë”, me sipërfaqe 44.100 m².

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 1730, datë 29.09.2026, të regjistruar në bazë të kallëzimit të shtetasit A.P., referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, i cili ka pretenduar se një sipërfaqe toke arë, në fshatin Povelçë, Fier, ishte tjetërsuar në emër të familjes së tij, pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit ekziston dyshimi i arsyeshëm se pasuria e llojit “Arë”, me sipërfaqe 44.100 m², e regjistruar në Librin e Ngastrave në pronësi të shtetit, është kaluar në pronësi private nëpërmjet një zinxhiri aktesh me përmbajtje të rreme.

Konkretisht, për kalimin e pronësisë dyshohet se janë përdorur: – një certifikatë për vërtetim pronësie me datë lëshimi 2007, që ka dyshime të bazuar në prova se është e falsifikuar; – një kartelë pasurie, e cila nuk pasqyron asnjë titull pronësie dhe mbart ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje; – si dhe dy prokura noteriale, të cilat vërtetojnë paraqitjen personale të të përfaqësuarve para noteres, ndërkohë që nënshkrimet ishin marrë mbi fletë të bardha, pa përmbajtje, ndërsa njëra prej të përfaqësuarave, në datën e hartimit të prokurës, ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Mekanizmi i kryerjes së veprës penale dyshohet se ka konsistuar në regjistrimin e pasurisë shtetërore në emër të shtetasit A.P., duke përdorur referencat e regjistrimit të një pasurie tjetër të tij. Shtetasi A.P. është pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi për një sipërfaqe totale prej 25.800 m², e cila përfshin ngastra të tjera, dhe për njërën prej tyre, me sipërfaqe 4.000 m², është pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2007. Pikërisht referencat e regjistrimit të kësaj pasurie, si dhe data e lëshimit të certifikatës së saj, janë përdorur për të pasqyruar në regjistrat kadastralë pasurinë me sipërfaqe 44.100 m² në pronësi të shtetasit A.P., ndonëse për këtë sipërfaqe nuk ekziston asnjë titull pronësie në emër të tij dhe në dosjen e regjistrimit nuk gjendet asnjë aplikim për të.

Kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale janë lëshuar nga Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier më 25.01.2023, pesë ditë përpara lidhjes së kontratës së shitjes. Në këtë mënyrë, pasuria në pronësi të shtetit është paraqitur si pronë private e familjes së shtetasit A.P., me qëllim tjetërsimin e saj të mëtejshëm.

Pas regjistrimit në emër të shtetasit A.P., pasuria u është tjetërsuar personave të tretë, të cilët e kanë blerë me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik. Sipas provave të administruara, personi nën hetim D.SH., në cilësinë e përfaqësuesit me prokurë të familjes së “shitësit”, ka gjetur blerësin, ka përcaktuar çmimin e shitjes dhe ka nënshkruar kontratën në emër të shitësve, pa dijeninë e tyre.

Me kontratën e shitjes, datë 30.01.2023, pasuria është tjetërsuar kundrejt çmimit prej 88.200 Euro, ndërkohë që dyshohet se kjo vlerë nuk pasqyron çmimin real të shitjes së pasurisë. Kjo shumë ka kaluar në llogarinë bankare të përfaqësuesit me prokurë dhe nuk u është dorëzuar palëve shitëse.

Kalimi i pronësisë është regjistruar në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier më 14.02.2023, pa u kryer verifikimet e detyrueshme sipas ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën” mbi titullin e pronësisë dhe mbi përputhjen e palëve shitëse me pronarët e regjistruar në kartelë. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se, pas paraqitjes së kallëzimit, personi nën hetim D.SH. u ka dorëzuar të dëmtuarve, në kesh, shumën prej 15.000 Euro, me qëllim tërheqjen e kallëzimit.

Gjatë kontrollit ushtruar në banesën e personit nën hetim A.V., në Fier, brenda një sirtari të mbyllur me çelës, janë gjetur 7 zarfe me para, në të cilat janë shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Në total u sekuestruar 31.720 euro, 608.000 lekë, 5.000 kurora norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Në të njëjtën dhomë u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu 46 fishekë armë zjarri të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.

Në këto rrethana, nga provat e administruara rezulton dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale nga personat nën hetim, si më poshtë:

Shtetasi D.SH., ish-kryetar i njësisë administrative, i cili ka vepruar në cilësinë e përfaqësuesit me prokurë të familjes shitëse, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 143, paragrafi 3, 186, paragrafi 2, 287, paragrafi 1, dhe 25 të Kodit Penal.

Shtetasi A.V., i cili në kohën e kryerjes së veprimeve ushtronte funksionin e drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 3, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Shtetasi F.B., i cili ushtronte funksionin e specialistit jurist në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dyshohet për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 2, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Shtetasja A.H., e cila ushtron profesionin e noteres me zyrë në Fier, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer nga personi që ka për detyrë lëshimin e dokumentit, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 186, paragrafi 3, dhe 25 të Kodit Penal.

Shtetasja A.J., e cila ushtronte funksionin e specialistes hartografe në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Nga hetimi rezultojnë gjithashtu dyshime se, me të njëjtën mënyrë veprimi, janë tjetërsuar edhe pasuri të tjera në pronësi të shtetit. Hetimet vijojnë për verifikimin e plotë të rrethanave të faktit, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësisë së tyre penale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.