Mesazhe false në emër të Bankës së Shqipërisë, synohet vjedhja e të dhënave bankare të qytetarëve

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar qytetarët për mesazhe mashtruese që po qarkullojnë në emër të institucionit, përmes të cilave synohet përvetësimi i të dhënave personale dhe bankare.
Përmes një njoftimi zyrtar, Banka e Shqipërisë bën me dije se mesazhet e dyshimta pretendojnë se llogaria bankare e marrësit është pezulluar dhe i kërkojnë atij të klikojë në një link për të përditësuar të dhënat.
Institucioni thekson se këto mesazhe janë të rreme dhe përbëjnë tentativa mashtrimi përmes metodës së njohur si “phishing”, ku përdoret emri i Bankës së Shqipërisë për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të marrë informacionet e tyre konfidenciale.
Banka u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqet e dwrguara nw kwto mesazhe, të mos u përgjigjen atyre dhe të mos ndajnë të dhëna personale, informacione të kartave bankare, fjalëkalime, PIN apo kode njëpërdorimëshe.
Gjithashtu, qytetarët që kanë ndarë të dhënat e tyre ose kanë konstatuar veprime të paautorizuara në llogaritë bankare, këshillohen të kontaktojnë menjëherë bankën e tyre përmes kanaleve zyrtare.
Banka e Shqipërisë u kërkon qytetarëve të raportojnë çdo mesazh të tillë pranë organeve kompetente, duke theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj komunikimeve të dyshimta që kërkojnë informacione sensitive.




