Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një amendament në projektligjin për strehimin social, përmes të cilit kërkon që Fondi për Strehim dhe Kohezion Social të përdoret edhe për financimin e programeve të rindërtimit. Propozimi parashikon që të ardhurat dhe objektet e këtij fondi të mund të përdoren për procesin e rindërtimit, në përputhje me legjislacionin për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Sipas amendamentit, financimi do të bëhet në varësi të të ardhurave të disponueshme, duke garantuar që të mos cenohen fondet për programet e strehimit social dhe të përballueshëm. Kriteret dhe procedurat e përfitimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Amendamenti përcakton gjithashtu se familjet që kanë përfituar nga rindërtimi mund të aplikojnë edhe për programet e strehimit social, nëse plotësojnë kriteret, por pa përfituar financim të dyfishtë për të njëjtin qëllim.