Nis mirëmbajtja dimërore e rrugëve, ARRSH: Jemi në gatishmëri me 119 borëpastruese dhe mbi 5 mijë tonë kripë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar nisjen zyrtare të sezonit të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve, i cili do të zgjasë deri më 31 mars. Gjatë kësaj periudhe, do të intensifikohen masat për të garantuar qarkullimin normal dhe sigurinë e drejtuesve të mjeteve në të gjitha akset rrugore kombëtare.
ARRSH bën me dije se, në bashkëpunim me kompanitë e mirëmbajtjes, ka vënë në gatishmëri kapacitetet njerëzore dhe logjistike për të përballuar situatat që mund të krijohen nga reshjet e borës, ngricat dhe kushtet e vështira atmosferike.
Në dispozicion të këtij sezoni janë 119 borëpastruese, 517 mjete të tjera dhe 848 punonjës, të cilët do të angazhohen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e akseve rrugore.
Gjithashtu, janë siguruar 5,369 tonë kripë dhe 4,910 tonë granil, materiale që do të përdoren për trajtimin e rrugëve në rast të reshjeve të borës dhe formimit të akullit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar thekson se prioritet mbetet siguria e përdoruesve të rrugës dhe garantimi i qarkullimit në të gjitha akset kombëtare përgjatë gjithë sezonit dimëror.




