Investigimi/ “Napoleoni” shqiptar dhe perandoria e kokainës nga Ballkani në Europë në radarin e antimafias italiane. Jeta luksoze në Dubai e bosëve të drogës

Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës, me lidhje në Ballkan dhe Europën Perëndimore, është në qendër të një investigimi të gazetës italiane “Corriere della Sera”. Në fokus është 44-vjeçari me origjinë shqiptare Eneo Carka, i njohur edhe me nofkën “Napoleone”, të cilin autoritetet e disa vendeve e konsiderojnë një person me rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve të dyshuara me trafikun e sasive të mëdha të drogës.
Sipas raportimit, Carka fliste shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht, ndërsa përdorte mjete të sofistikuara komunikimi për të kufizuar mundësinë e përgjimeve. Ai është lidhur nga hetuesit me transportin e sasive të mëdha të kokainës në Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali, përfshirë edhe në zonën e La Spezias, në Liguria.
Në Milano, sipas të dhënave të Drejtorisë së Antimafias së Qarkut, Carka mbështetej te një bashkëkombës 46-vjeçar, me banim në rrugën Chiarelli, në lagjen Gallaratese. Ky person dyshohet se ishte përfshirë si në mbërritjen e ngarkesave të kokainës, ashtu edhe në kryerjen e pagesave për drogën.
Gazeta italiane shkruan se Carka kishte krijuar kontakte edhe me rrjete të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar, përfshirë atë të kolumbianit Dairo Antonio Úsuga, i njohur si “Otoniel”, ish-drejtues i kartelit të Gjirit. Sipas raportimit, lidhjet e tij e bënin një person të kërkuar nga grupet kriminale, por edhe një partner të rëndësishëm për organizatat që synonin të zgjeronin aktivitetin në tregun e kokainës.
Investigimi ndalet edhe te lidhjet e trafikut të drogës në Maqedoninë e Veriut, ku një prej emrave më të njohur të botës kriminale është Sheval Muaremi, 49 vjeç, drejtues i dyshuar i klanit të Sarajit, një zonë periferike e Shkupit e përbërë nga disa fshatra të vegjël. Muaremi kërkohet për akuza që lidhen me vrasje, organizatë kriminale dhe trafikimin e sasive të mëdha të kokainës. Prej dy vitesh ai jeton në Dubai dhe shfaqet në rrjetet sociale nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas Xhelal Nezirit, president i Institutit Ballkanik për Media dhe Demokraci në Tetovë, krimi i organizuar ka fituar një ndikim shqetësues në vend. “Çdo shtet ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka një shtet”, shprehet ai, duke iu referuar veçanërisht trafikut të narkotikëve.
Një tjetër emër i përmendur në investigim është Denis Matoshi, 37 vjeç, gjithashtu me origjinë shqiptare, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash. Për një kohë të gjatë ai qëndroi në Dubai, por rreth një muaj para publikimit të raportimit, Belgjika arriti ta merrte në dorëzim nga autoritetet e Emirateve, pas kërkesës për ekstradim.
Në Dubai ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, Suada, e përshkruar nga gazeta si ish-Miss Shqipëria dhe personazh i botës së spektaklit. Sipas autoriteteve belge, ajo zotëron në Emirate prona të paluajtshme me vlerë rreth 17 milionë euro. Raportimi përmend gjithashtu organizimin e festave luksoze në Dubai, së bashku me partnerin e saj të ri.
Roli i Belgjikës në këtë histori është veçanërisht i rëndësishëm. Vendi shfaqet vazhdimisht në gjurmët e rrjeteve të përmendura të trafikut të kokainës, si destinacion i ngarkesave dhe si një prej shteteve që kërkojnë ekstradimin e personave të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete kriminale.
Investigimi i “Corriere della Sera” vë në dukje edhe vështirësitë që krijon Dubai për hetimet ndërkombëtare, për shkak të refuzimit të mëparshëm të autoriteteve të Emirateve për të bashkëpunuar në marrëveshje dypalëshe ekstradimi. Kjo situatë, sipas gazetës, u ka mundësuar disa personave të kërkuar të qëndrojnë në Emirate, ndërsa dyshohet se vijojnë të menaxhojnë aktivitetet e tyre kriminale nga distanca.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



