Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore ka shpallur këtë të premte tenderin me vlerë 726,099,513 lekë ose gati 8 milionë euro me kursin e sotëm për të blerë barna mjekësore për të ofruar kontrollin mjekësor bazë (Check-Up), si dhe sigurimi i shërbimit të hemodializës për një periudhë 12-mujore. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 14 dhjetor 2026.
Tenderi me objekt- “Blerje kite reagente për programin kombëtar të kontrollit mjekësor bazë (check up) dhe shërbimin e hemodializës për një periudhë 12 mujore”, është i ndarë në 9 lote, dhe kompanitë që do të fitojnë do të duhet të garantojnë furnizime për OSHISH për 1 vit për të kryer kontrollin mjekësor bazë, dhe për të ofruar dializën.
Ndërkohë sot më 13 nëntor mbyllet edhe tenderi tjetër i shpallur nga OSHISH, me vlerë 345,650,878 lekë ose gati 3.8 milionë euro, për “blerje materiale konsumi mjekësor për procesin e hemodializës’.
Gjatë kësaj jave Ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se hemodializa ka nisur të ofrohet në spitalet publike.
“Për check up kalimi nga privati tek shteti është i vështirë. Jemi detyruar të anulojmë tenderin dhe të rishikohet nga e para për ta menaxhuar më mirë. Jemi duke punuar, por tenderi vonohet pak, kjo është arsyeja pse kemi vështirësi për check up. Hemodializa ka filluar prej disa ditësh, pra ky shërbim i ka kaluar shtetit. Shërbimi për 500 pacientët që kanë kaluar në shërbimin publik, ka qenë në standard të mirë, me kontroll të detajuar, ndjekje në sistem sipas protokollit, ne duam që kjo cilësi të mos ulet por të rritet edhe më shumë”, u shpreh Spahiu.
Këto tendera po shpallen pas anulimit të bujshëm të garës 50 milionë euroshe, për ofrimin e hemodializës, që u fitua nga kompania Diaverum AB, e njëjta që kishte edhe koncesionin për këtë shërbim. Në shator tenderi u anulua nga ministrja Spahiu e cila e konsideroi “Procedurë e hapur mbrapsht”.
.jpg)











Komente
Komento