Reforma zgjedhore, Berisha: Gangsteri Gjiknuri kërkon të përcaktojë agjendën në mënyrë të njënashme

Partia Demokratike ka mbledhur ditën e sotme Grupin Parlamentar, ku në fokus të diskutimeve është edhe Reforma Zgjedhore. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar përfaqësuesin e Partisë Socialiste në këtë proces, Damian Gjiknurin, se po tenton të përcaktojë në mënyrë të njëanshme agjendën e komisionit, në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e Kuvendit.
Gjatë deklaratës për mediat, Berisha bëri të ditur se deputetët demokratë do të njihen me punën e kryer nga grupi i punës për Reformën Zgjedhore, me qëllim adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit dhe ato paraardhëse.
“Në këtë mbledhje, deputetët e PD-së do të njihen dhe do të diskutojnë mbi punën që ka bërë kryetari i grupit të punës të Reformës Zgjedhore dhe anëtarët, në mënyrë që t’u jepet përgjigje një për një të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit dhe të parafundit.
Siç jeni në dijeni, Komisioni Evropian konstaton në raportet e tij se këto rekomandime nuk janë adresuar pothuajse asnjë nga autoritetet shqiptare”, tha Berisha.
Kreu i demokratëve u ndal edhe te mënyra e funksionimit të komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se secila palë ka të drejtën e vetos dhe se asnjë vendimmarrje nuk mund të merret pa dakordësinë e palës tjetër.
Berisha akuzoi Damian Gjiknurin se, në përfaqësim të mazhorancës, po përpiqet të imponojë një agjendë të njëanshme për punën e komisionit.
“Komisioni bipartizan i ngritur për Reformën Zgjedhore mbi bazën e vendimeve është një komision ku secila palë ka veton, pra asnjë hap nuk mund të bëhet pa ujdinë e palës tjetër.
Në mënyrë të njëanshme, si gangsterë të vërtetë, përfaqësuesi i Edi Ramës, Damian Gjiknuri, me anëtarët e tij, për të krijuar skenarin pak a shumë të Reformës Territoriale, menduan të përcaktojnë në mënyrë të njëanshme agjendën e këtij komisioni”, tha kreu i PD.
Në përfundim, Berisha e cilësoi këtë veprim si të paligjshëm dhe në kundërshtim me vendimin e Parlamentit, duke përdorur tone të ashpra ndaj përfaqësuesve të mazhorancës.
“Përcaktimi i njëanshëm i agjendës është i paligjshëm dhe bie në kundërshtim me vendimin e Parlamentit. Por gangsterë dhe individë të inkriminuar nuk kanë asnjë parim dhe ne jemi të qartë për këtë”, tha kreu i Partisë Demokratike.



