SHKODËR – Dëmtimi i argjinaturës së lumit Kir ka rikthyer shqetësimin dhe frikën te banorët e lagjes “3 Heronjtë” në Shkodër. Gërryerja e vazhdueshme e brigjeve dhe përparimi i ujit drejt zonave të banuara po rrezikojnë disa familje, të cilat kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur pasoja më të rënda.

Banorët bëjnë me dije se kjo problematikë nuk është e re. Sipas tyre, shqetësimi është ngritur disa herë pranë Bashkisë Shkodër, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për riparimin dhe përforcimin e argjinaturës së dëmtuar.

Situata bëhet edhe më shqetësuese në këtë periudhë të vitit, kur reshjet e dendura të shiut sjellin shtim të prurjeve të lumit Kir dhe rritje të nivelit të ujit. Banorët druhen se gërryerja mund të përshkallëzohet, duke vënë në rrezik banesat dhe pronat e tyre.

Për familjet që jetojnë pranë lumit, ndërhyrja në argjinaturë nuk është më një kërkesë që mund të presë, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e jetës, banesave dhe pronave të tyre.

Sipas banorëve, e njëjta situatë përsëritet çdo vit, me nisjen e reshjeve të vjeshtës dhe dimrit, ndërsa mungesa e një zgjidhjeje përfundimtare shton pasigurinë dhe frikën.

Banorët i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë për rehabilitimin e argjinaturës, përpara se rritja e prurjeve të lumit Kir të sjellë dëme të parikuperueshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb