Gjykata e Fierit e la në burg Arben Vojën, drejtorin e spitalit të Fierit, duke pranuar kërkesën e prokurorëve, gjetjet e të cilëve nuk ishin të pakta në kontrollin e kryer në banesën e Vojës. Hetuesit kanë gjetur në një sirtar të mbyllur me çelës në dhomën e drejtorit, shtatë zarfe me para, ku ishin shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme. Brenda tyre ka pasur 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë, të sekuestruara tashmë. Po ashtu, në të njëjtën dhomë janë gjetur dhe sekuestruar 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu. Hetimi pwr tjetërsim prone dhe falsifikim dokumentesh ka nisur pas kallëzimit të një qytetari, i cili pretendoi se një tokë arë në fshatin Povelçë të Fierit ishte kaluar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Sipas Prokurorisë,bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 44.100 metrash katrorë, e regjistruar fillimisht në pronësi të shtetit dhe e kaluar më pas në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh me përmbajtje të falsifikuar. Për regjistrimin e tokës dyshohet se është përdorur një certifikatë pronësie e vitit 2007, për të cilën ekzistojnë dyshime se është e falsifikuar, si dhe një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje. Kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale janë lëshuar nga Kadastra Fier më 25 janar 2023, vetëm pesë ditë përpara lidhjes së kontratës së shitjes. Më 30 janar 2023, toka iu shit personave të tretë për shumën prej 88.200 eurosh, me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik. Shuma e përfituar nga shitja dyshohet se është kaluar në llogarinë bankare të përfaqësuesit dhe nuk u është dorëzuar pronarëve të pretenduar. Pas kallëzimit, i njëjti person dyshohet se u ka dhënë të dëmtuarve 15 mijë euro në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin denoncimin. Bashkw me Vojwn po hetohet edhe ish-kryetari i njësisë administrative Dilaver Shyti hetohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Specialistja juriste e Kadastrës Fjorelo Bida dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa noterja Anila Haxhiu për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.