
Odise Dhima, 58 vjeç, akuzohet nga autoritetet greke për furnizimin e sportistëve me preparate të ndaluara. Arrestimi rikthen në vëmendje edhe përplasjen e bujshme të katër viteve më parë me drejtuesit e peshëngritjes shqiptare.
Një çështje që prej vitesh ka shkaktuar polemika mes Shqipërisë dhe Greqisë rikthehet në qendër të vëmendjes. Odise Dhima, vëllai i ish-kampionit olimpik Pirro Dhima, është arrestuar në Greqi, nën dyshimin për përfshirje në një aktivitet të paligjshëm të furnizimit të sportistëve me substanca dopingu.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi në bashkëpunim me autoritetet antidoping dhe institucionet greke të barnave. Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 tableta dhe ampula, 15 mijë euro, 17 kartela sportistësh, dokumente dhe një telefon celular.
Sipas hetuesve, ekziston dyshimi se aktiviteti kryhej prej vitesh, ndërsa është evidentuar edhe një rast i administrimit të një substance të ndaluar te një sportist i mitur.
Arrestimi rikthen në kujtesë çështjen e peshëngritëses Evangjeli Veli. Katër vite më parë, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, kishte akuzuar publikisht Odise Dhimën për përfshirje në rastin e saj të dopingut.
Në atë kohë, Pirro Dhima i kishte hedhur poshtë deklaratat dhe kishte paralajmëruar padi për shpifje. Megjithatë, hetimi aktual në Greqi nuk përbën provë përfundimtare për përfshirjen e Odise Dhimës në çështjen e Evangjeli Velit. Hetimet pritet të zbardhin përgjegjësitë konkrete.
