Zgjidhet problemi i ujërave të zeza në Lin, investimi i jep fund ndotjes në liqenin e Ohrit që mbrohet nga UNESCO

Fshati Lin, një prej destinacioneve turistike më të vizituara të juglindjes, po i jep zgjidhje dy prej problematikave më të vjetra që kanë shqetësuar banorët dhe turistët: mungesës se furnizimit me ujë të rrjedhshëm dhe shkarkimin e ujërave të zeza në liqenin e Ohrit.
I njohur për natyrën e veçantë, sitet kulturore dhe historinë e tij të lashtë, Lini prej vitesh përballej me mungesën e shërbimeve bazë. Shkarkimi i ujërave të ndotura në liqen krijonte jo vetëm ndotje mjedisore, por edhe situata të pakëndshme për vizitorët, me aroma të rënda që përhapeshin në zona të ndryshme të fshatit.Falë një investimi të qeverisë shqiptare, këto dy problematika kane marr zgjidhje përfundimtare
“Është bërë një punë shumë e mirë, shyqyr që filluan se ka vite ky problem”, thotë një banor.
“Edhe për ne është gjë e mirë por edhe për ata që vijnë”, thotë një banor tjetër.
Megjithatë, zbatimi i projektit nuk ka kaluar pa debate. Banorët kanë kërkuar garanci për lidhjen 100% të familjeve me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe për sistemimin e rrugëve që janë dëmtuar gjatë punimeve.
“Me përfuindimin e punimve do të bëjmë lidhjen 100% të familjeve me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe për sistemimin e rrugëve që janë dëmtuar gjatë punimeve, do jenë dhe më mirë seç kanë qenë”, thotë Elio dodaj, drejtues i punimeve.
Zgjidhja e problematikës së ujërave të zeza në Lin dhe në disa fshatra të tjerë përgjatë bregut të liqenit të Ohrit ka qenë edhe një prej kërkesave të rëndësishme të UNESCO-s ndaj institucioneve shqiptare. Shkarkimi i ujërave të ndotura përbënte një rrezik për ekosistemin e liqenit, duke dëmtuar florën dhe faunën e tij.




