Gjermania miraton reformën e shekullit për shërbimet sekrete, më shumë kompetenca kundër spiunazhit rus!

Bundestagu gjerman ka miratuar sot një reformë të gjerë të ligjit për shërbimet e inteligjencës, duke u dhënë atyre kompetenca të reja për të luftuar spiunazhin, terrorizmin dhe sabotimin.
Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe mundësinë e hyrjes në mënyrë të fshehtë në banesa private, si dhe nxjerrjen jashtë funksionit të serverëve të grupeve të hakerëve.
Reforma u miratua me 309 vota pro, 190 kundër dhe 71 abstenime, raporton e përditshmja gjermane “Die Welt”.
Sipas ndryshimeve, Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND) dhe Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) do të kenë kompetenca shtesë, përfshirë mbikëqyrjen e telekomunikacioneve dhe krahasimin e të dhënave biometrike.
Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës nuk do të kufizohet më vetëm në mbledhjen e informacionit dhe mbikëqyrjen e individëve. Në kushte të caktuara, ajo do të mund të hyjë fshehurazi në banesa private për të gjetur dhe larguar eksplozivë apo armë.
Megjithatë, kompetencat për arrestimet dhe kontrollet e hapura do të mbeten në duart e policisë. Ndërkohë, BND-ja, e cila merret me aktivitetet e inteligjencës jashtë vendit, do të ketë të drejtën të ndërmarrë edhe veprime konkrete operative. Kjo përfshin mundësinë për të nxjerrë jashtë funksionit, nga distanca, serverë jashtë Gjermanisë që përdoren nga grupe hakerësh të lidhur me shtete të huaja.
Ligji parashikon gjithashtu krijimin e një organi të posaçëm, të përbërë nga ish-gjyqtarë, që do të kontrollojë paraprakisht ligjshmërinë e disa prej masave të shërbimeve të inteligjencës.
Reforma, e propozuar nga partitë qeverisëse CDU, CSU dhe SPD, vjen si përgjigje ndaj përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe shtimit të aktiviteteve të shërbimeve të huaja të inteligjencës, kryesisht nga Rusia, Kina dhe Irani, sipas “Der Spiegel”.
Një tjetër synim i ndryshimeve është ulja e varësisë së Gjermanisë nga informacionet e inteligjencës që i ofrojnë vendet partnere. Por reforma ka shkaktuar kundërshtime nga opozita, e cila akuzon qeverinë se po zbeh ndarjen e kompetencave mes policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.
Ministri i Brendshëm gjerman, Aleksander Dobrint, e cilësoi atë si “reformën e shekullit”. “Ne jemi shënjestër e kërcënimeve hibride”, deklaroi Dobrint, duke shtuar se “Gjermania është kthyer në një terren operacionesh për terrorizmin, ekstremizmin dhe veprimtarinë e fuqive të huaja”.
Sipas tij, falë reformës, shërbimet e inteligjencës më në fund do të kenë kompetenca reale për të kryer detyrat e tyre. Dobrint i quajti të pakuptimta dhe historikisht të papërgjegjshme akuzat se reforma po krijon një “polici të re sekrete”, duke theksuar se qëllimi i ndryshimeve ligjore është mbrojtja e demokracisë.




