Dogana e Kosovës ka zbuluar 150 mijë euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në pikën kufitare të Vërmicës, në kufirin Kosovë–Shqipëri.
Nga shuma e përgjithshme, 37 mijë e 500 euro janë konfiskuar, ndërsa pjesa tjetër është mbajtur për deponim deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
Rasti është regjistruar më 12 nëntor 2026, rreth orës 19:00, në hyrje të Republikës së Kosovës, ku zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, drejtuesi i automjetit fillimisht ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të raportuar. Gjatë kontrollit të detajuar, megjithatë, zyrtarët kanë zbuluar një shumë të konsiderueshme parash.
Fillimisht, drejtuesi ka deklaruar se në veturë kishte 120 mijë euro, por pas numërimit është konstatuar se shuma e plotë ishte 150 mijë euro, në kartëmonedha prej 50 eurosh.
Nga kjo shumë, 25 për qind, përkatësisht 37 mijë e 500 euro, janë konfiskuar, ndërsa 112 mijë e 500 euro janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave ligjore.