E premte, 13 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rrjetet shqiptare të kokainës po depërtojnë në SHBA, lidhjet nga Brazili te Amerika
Bota

Rrjetet shqiptare të kokainës po depërtojnë në SHBA, lidhjet nga Brazili te Amerika

Rrjetet shqiptare të trafikut të kokainës po shtrijnë aktivitetin e tyre përtej Europës, duke krijuar shqetësime edhe në tregun amerikan. Ky është paralajmërimi që përcjell revista amerikane “Newsweek”, duke iu referuar një hetimi të Sky News mbi mënyrën se si funksionojnë organizatat kriminale shqiptare dhe zinxhirët e tyre ndërkombëtarë të furnizimit me drogë.

Në qendër të shkrimit është deklarata e Neil Woods, ish-oficerit britanik të policisë që kaloi 14 vite duke u infiltruar në grupe të trafikut të drogës. Ai paralajmëron se rrjetet shqiptare kanë krijuar një prani të konsiderueshme edhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa bashkëpunimi ndërkombëtar u ka mundësuar të zgjerojnë ndikimin në tregtinë e kokainës.

Woods e lidh këtë zhvillim me ndryshimet në tregun amerikan, ku çmimet e kokainës kanë rënë dhe pastërtia e saj është rritur. Sipas tij, këto tendenca lidhen me efikasitetin e krijuar nga bashkëpunimi mes organizatave kriminale në vende të ndryshme.

paralajmërimi vjen në prag të publikimit të dokumentarit të Sky News, “The Drug Lords Next Door”, i cili hedh dritë mbi mënyrën se si grupet shqiptare kanë ndërtuar rrjete të sofistikuara të shpërndarjes së kokainës në Britani, duke përdorur edhe platformat sociale për rekrutimin e shpërndarësve.

Rrjetet shqiptare në SHBA, aktivitet në disa kontinente

Prania e grupeve kriminale shqiptare në Shtetet e Bashkuara nuk është një fenomen i ri. Në vitin 2013, prokurorët federalë amerikanë njoftuan dënimin e 49 anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të një organizate ndërkombëtare shqiptare, e përfshirë në trafikimin e drogës.

Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, organizata operonte në tri kontinente dhe shpërndante lëndë narkotike në disa shtete amerikane, përfshirë Nju Jorkun, Kaliforninë, Xhorxhian, Koloradon dhe Floridën.

Në këtë aktivitet përfshiheshin kokaina e siguruar nga Meksika dhe Amerika e Jugut, marihuana, ekstazia dhe barna me recetë.

Woods vë në dukje gjithashtu lidhjen mes grupeve shqiptare dhe atyre braziliane, duke e konsideruar Brazilin një pikë të rëndësishme për përpunimin dhe logjistikën e trafikut të kokainës drejt tregjeve ndërkombëtare.

Të dhënat e DEA-s për vitin 2025 tregojnë se pastërtia mesatare e mostrave të kokainës në nivelin e tregtisë me shumicë në SHBA u rrit nga 86% në vitin 2023 në 88% në vitin 2024.

Rekrutimi përmes TikTok dhe telefonat që vlejnë qindra mijëra paund

Dokumentari i Sky News sjell detaje edhe mbi mënyrën se si funksionojnë grupet shqiptare në Britani. Gazetarët e infiltruar zbuluan qindra reklama në TikTok, përmes të cilave ofroheshin vende pune për shpërndarjen e drogës në qytete të ndryshme.

Duke përdorur identitete të fshehta, gazetarët aplikuan për këto pozicione dhe morën oferta për shitjen e kokainës, përfshirë një punë me pagesë prej 280 paundësh në ditë.

Ish-oficeri David McKelvey, i cili ka ndihmuar në operacionet kundër këtyre grupeve kriminale, e krahasoi mënyrën e rekrutimit me funksionimin e një korporate të madhe.

Një tjetër element i zbuluar nga hetimi janë telefonat celularë të posaçëm, të cilët përmbajnë databaza me kontaktet e klientëve. Sipas dokumentarit, këto pajisje reklamohen në rrjetet sociale me çmime që arrijnë deri në 300 mijë paund.

Në këtë mënyrë, blerësi nuk merr thjesht një pajisje elektronike, por një rrjet të ngritur klientësh dhe një aktivitet të gatshëm shpërndarjeje.

Nga rrjetet e kokainës te resorti i Kushner në Sazan

Një pjesë e rëndësishme e artikullit të “Newsweek” i kushtohet edhe projektit të resortit luksoz në ishullin e Sazanit, i mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Projekti është shoqëruar me polemika dhe protesta në Shqipëri, ku janë ngritur shqetësime për ndikimin mjedisor dhe janë artikuluar akuza për korrupsion.

Në këtë kontekst, revista ndalet te hetimet e prokurorisë shqiptare ndaj biznesmenit Artur Shehu, me bazë në Majami, i cili ka shitur tokë të lidhur me projektin.

Sipas raportimeve të Reuters, hetuesit dyshojnë se Shehu ka pastruar para për rrjete të trafikut të drogës dhe ka falsifikuar dokumente pronësie. Biznesmeni i ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij.

Prokurorët po shqyrtojnë nëse dokumentet e pronësisë ishin falsifikuar përpara shitjes së tokës për projektin e resortit.

Megjithatë, Reuters nuk ka gjetur prova që Jared Kushner apo investitorët e tjerë të kishin dijeni për akuzat ndaj Shehut në momentin e blerjes së pronës. Zhvilluesit e projektit kanë deklaruar se transaksionet janë kryer në përputhje me ligjin.

Paralajmërimi për pasojat e trafikut të kokainës

Në fund të shkrimit, “Newsweek” ndalet te pasojat që sjell zgjerimi i tregut të kokainës, duke theksuar se aktiviteti kriminal nuk kufizohet vetëm te shitja e lëndëve narkotike.

Kathryn Westmore, drejtoreshë për krimin financiar në organizatën UK Finance, thekson se pas çdo transaksioni qëndron një zinxhir shfrytëzimi, dhune dhe cenimi të personave të pambrojtur.

Hetimi i Sky News dhe paralajmërimi i Neil Woods rikthejnë në vëmendje përmasat ndërkombëtare të rrjeteve shqiptare të krimit të organizuar dhe sfidën që paraqesin ato për autoritetet ligjzbatuese në Europë dhe SHBA.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.