Milan Radoiçiç, organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, dyshohet se është arratisur në Rusi

Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe organizatori i sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, dyshohet se është larguar nga Serbia dhe ka gjetur strehim në Rusi.
Informacioni është publikuar nga disa media rajonale, të cilat raportojnë se Radoiçiç mund të ndodhet në Moskë, së bashku me biznesmenin serb Zvonko Veselinoviç.
Raportimet për largimin e tyre kanë nisur më 4 nëntor, ndërsa dyshimet lidhen edhe me zhvillimet e fundit rreth një afere financiare në Serbi, ku është përmendur banka ALTA. Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet serbe apo ruse për vendndodhjen e Radoiçiçit dhe Veselinoviçit.
Lajmi merr rëndësi të veçantë për shkak të statusit juridik të Radoiçiçit, i cili ndodhet nën hetim në Serbi për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Autoritetet gjyqësore serbe i kanë vendosur më herët masën e ndalimit të largimit nga vendi pa autorizim, i kanë sekuestruar pasaportën dhe e kanë detyruar të paraqitet periodikisht në polici.
Nëse konfirmohet largimi i tij drejt Rusisë pa lejen e gjykatës, kjo do të ngrinte pikëpyetje serioze mbi respektimin e masave të sigurisë dhe kontrollin e ushtruar nga institucionet serbe.
Vetëm pak javë më parë, më 9 tetor, Radoiçiç u shfaq publikisht në një tubim elektoral të Partisë Progresive Serbe në Kragujevc, ku u pa pranë Danilo Vuçiçit, djalit të Aleksandar Vuçiçit. Prania e tij shkaktoi reagime nga autoritetet e Kosovës, të cilat akuzuan Beogradin për mbështetje ndaj organizatorit të sulmit në Banjskë.
Ndërkohë, në fund të tetorit, mediat serbe raportuan se një komision i Prokurorisë së Lartë Publike kishte nisur shqyrtimin e rrethanave në të cilat Radoiçiç nuk ishte lënë në paraburgim pas marrjes në pyetje për ngjarjen e Banjskës.
Radoiçiç ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjatë përplasjes së armatosur që pasoi, u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit sulmues.
Pavarësisht kërkesave të autoriteteve të Kosovës për vënien e tij përpara drejtësisë, Radoiçiç ka qëndruar i lirë në Serbi, ndërsa hetimet ndaj tij kanë vijuar pa një aktakuzë të ngritur nga prokuroria serbe.
Dyshimet për arratisjen e mundshme në Moskë mbeten ende të paverifikuara, ndërsa mungesa e një konfirmimi zyrtar lë të hapur pyetjen se ku ndodhet aktualisht organizatori i sulmit në Banjskë.




