Goli ndaj Finlandës, Fatjon Baze: Muçi aset i pashfrytëzuar i Shqipërisë, i është ngrënë haku por nuk foli kurrë

13 Nëntor 2026 | 17:28

Gazetari sportiv Fatjon Baze ka vlerësuar paraqitjen e Shqipërisë në fitoren 2-0 ndaj Finlandës, duke e cilësuar atë një mbrëmje spektakolare për kuqezinjtë. I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv”, me Drilon Xhepollarin, Baze komentoi paraqitjen e ekipit kombëtar, golat e Ernest Muçit dhe Rey Manajt, si dhe ndryshimin që ka sjellë trajneri Roland Maran në lojën e Shqipërisë.

Gazetari, u ndal veçanërisht te goli spektakolar i Ernest Muçit, duke theksuar se futbollisti po tregon më në fund potencialin e tij edhe me fanellën kuqezi.

Sipas Bazes, Muçi është një talent i jashtëzakonshëm, të cilit nuk i është dhënë hapësira e merituar në përfaqësuese gjatë periudhës së mëparshme, ndërsa nën drejtimin e Roland Maran po shfrytëzohen më mirë cilësitë e tij.

“Realistisht ishte një fitore shumë e rëndësishme. Duke parë 90 minutat, dominimin total dhe lojën e bukur që zhvilloi ekipi ndaj Finlandës, ishte një mbrëmje spektakolare që na shijoi në maksimum. Goli i Ernest Muçit ishte me të vërtetë mahnitës, një gol i jashtëzakonshëm. Një aset të tillë e kemi pasur në ekip, por fatkeqësisht, deri në ardhjen e trajnerit Maran, nuk e kemi shfrytëzuar. Tashmë potenciali i tij po shfrytëzohet dhe frytet e këtij talenti po duken. Është një futbollist te i cili duhet të fokusohemi shumë dhe ta bazojmë lojën te cilësitë e tij, sidomos në fazën ofensive”, deklaroi gazetari.

Ai rikujtoi edhe minutazhin e kufizuar që Muçi ka pasur më parë në kombëtare, duke theksuar se në 22 ndeshje me Shqipërinë ka qenë titullar vetëm në tetë prej tyre, ndërsa ka regjistruar pesë gola në rreth 800 minuta aktivizim.

Sipas Bazes, kjo është një arsye që duhet të ngrejë pikëpyetje për mënyrën se si është menaxhuar talenti i sulmuesit në të kaluarën.

“Besoj se, duke parë tashmë se çfarë po shfaq në fushën e lojës, duhet të ndihen të keqardhur. Të gjithë kemi qenë në dijeni se ai mund të bënte gjëra të mëdha, sepse e ka treguar këtë edhe te ekipet ku ka luajtur. Por më mirë vonë se kurrë. Fatmirësisht, trajneri Roland Maran po e shfrytëzon potencialin e tij”, u shpreh ai.

Baze vlerëson Rey Manaj: Mund të thyejë rekordin e Erjon Bogdanit

Një tjetër futbollist që mori vlerësimin e gazetarit ishte Rey Manaj, autor i golit të dytë ndaj Finlandës, pas një krosimi të Elseid Hysaj.

Baze e cilësoi realizimin e sulmuesit si tipik për një qendërsulmues, duke vlerësuar mënyrën se si ai lexoi aksionin dhe shfrytëzoi asistin e kapitenit kuqezi.

“Edhe Rey Manaj po bën një performancë të jashtëzakonshme. Goli i tij ishte tipik për një sulmues qendre, duke i marrë kohën kundërshtarit dhe duke e shfrytëzuar në mënyrë perfekte asistin që i dha Elseid Hysaj. Është një lojtar që po kalon një periudhë mjaft të mirë”, tha gazetari.

Ai u ndal edhe te statistikat e Manajt me përfaqësuesen, duke vënë në dukje se sulmuesi ka arritur në 14 gola me Shqipërinë dhe është ngjitur në vendin e dytë në renditjen e golashënuesve më të mirë të historisë së kombëtares.

Baze shprehu bindjen se Manaj ka potencialin për të kaluar rekordin e Erjon Bogdanit, duke theksuar se shpreson që sulmuesi të vazhdojë të shënojë sa më shumë gola me fanellën kuqezi.

Sadiku var këpucët në gozhdë, Baze: Një sulmues që nuk do të harrohet kurrë

Gjatë bisedës në “Kubi Sportiv”, gazetari komentoi edhe tërheqjen nga futbolli të Armando Sadikut, për të cilin Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një ceremoni të veçantë në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në ekipin kombëtar.

Sadiku e mbylli karrierën me përfaqësuesen me 39 ndeshje dhe 12 gola gjatë periudhës 2012-2023, ndërsa emri i tij do të mbetet i lidhur veçanërisht me golin historik ndaj Rumanisë në Kampionatin Europian të vitit 2016, që i dhuroi Shqipërisë fitoren e saj të parë në një fazë finale të Europianit.

Baze e cilësoi Sadikun një prej sulmuesve që do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve shqiptarë, duke vlerësuar kontributin e tij si në futbollin vendas, ashtu edhe në kombëtare.

“Është një sulmues që nuk do të harrohet kurrë, sidomos për faktin se ka shënuar një gol historik në Europianin e vitit 2016 ndaj Rumanisë. Ai i meritonte të gjitha vlerësimet që i organizoi Federata Shqiptare e Futbollit, pasi është një lojtar që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në futbollin shqiptar dhe në ekipin tonë kombëtar”, deklaroi gazetari.

Baze për Maran: Rezultatet janë në favor të tij, Shqipëria po luan futboll sulmues

Në pjesën e fundit të intervistës, Baze analizoi ndryshimin që ka sjellë Roland Maran në lojën e Shqipërisë, duke vlerësuar mënyrën se si trajneri italian e kishte përgatitur skuadrën përballë Finlandës.

Sipas tij, kuqezinjtë treguan jo vetëm dominim në zotërimin dhe kontrollin e ndeshjes, por edhe organizim të mirë në momentet e rikuperimit të topit dhe kalimit në sulm.

Gazetari veçoi gjithashtu lëvizjet taktike të Maran, përfshirë ndryshimin e pozicioneve të Muçit dhe aktivizimin e lojtarëve në krahë, të cilat sipas tij rezultuan efikase.

“Më pëlqeu jashtëzakonisht shumë ndeshja e djeshme dhe mënyra se si trajneri Roland Maran e kishte përgatitur ekipin. Edhe në ato pak momente kur Finlanda mund të na vinte në vështirësi, ne kishim përgatitur një lojë shumë të mirë kundërsulmi në momentin e rikuperimit të topit. Më pëlqeu shumë mënyra se si e kishte pozicionuar skuadrën”, u shpreh Baze.

Ai theksoi se filozofia sulmuese e trajnerit po jep rezultatet e para, veçanërisht në aspektin e aktivizimit dhe zhbllokimit të sulmuesve, të cilët po arrijnë të shënojnë rregullisht.

Në përfundim, ai u shpreh optimist për ndeshjen e radhës ndaj Bjellorusisë, duke theksuar se Shqipëria duhet të ruajë ritmin dhe të vazhdojë serinë e rezultateve pozitive.

Fitorja 2-0 ndaj Finlandës e ka ngjitur Shqipërinë në krye të grupit me 12 pikë, e ndjekur nga Bjellorusia me 10 pikë, Finlanda me 7 dhe San Marino pa pikë. Baze shpreson që kuqezinjtë të konfirmojnë formën e mirë edhe në transfertën ndaj Bjellorusisë, për të vijuar me objektivin e sigurimit të vendit të parë në grup.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Maran dhe Ismajli: Gati për Finlandën, objektivi është vendi i parë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Ardian Ismajli kanë dalë në konferencën për mediat në prag të sfidës me Finlandën, që do të...
18:10 | 11/11/2026

Bicaj komenton listën e Maran: E çuditshme mungesa e Anis Mehmetit, ndeshja me Finlandën vendimtare

I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv”, trajneri i futbollit Ditmar Bicaj komentoi listën e publikuar nga trajneri i Kombëtares për dy ndeshjet e fundit të...
19:14 | 06/11/2026

Sa është premio për lojtarët e Egnatias? Gazetari sjell detajet nga Rumania para sfidës me Craiovën

Egnatia do të luajë të enjten në mbrëmje një tjetër sfidë të rëndësishme në Ligën e Konferencës, këtë herë në transfertë ndaj skuadrës rumune Universitatea...
17:49 | 04/11/2026