Ministrja Spahiu: Rritet buxheti për shëndetësinë, Instituti Kombëtar i Onkologjisë nis funksionimin në janar

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka ndarë një videomesazh nga vizitat në spitalet e Përmetit dhe Devollit, ku ka theksuar ecurinë e reformës spitalore dhe investimet e planifikuara në sistemin shëndetësor.
Sipas ministres, dy struktura spitalore janë tashmë pjesë e reformës spitalore, e cila synon konsolidimin e një modeli më efikas menaxhimi, optimizimin e burimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
“Është një qasje e orientuar drejt rritjes së eficiencës, garantimit të vazhdimësisë së kujdesit dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore sa më pranë vendbanimit të qytetarëve”, u shpreh Spahiu.
Ministrja bëri të ditur se Parlamenti ka miratuar në parim buxhetin për vitin 2027, ndërsa fondet për sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale arrijnë në rreth 117.3 miliardë lekë.
Ajo theksoi se buxheti adreson një sërë prioritetesh, mes tyre aparaturën e PET Scan-it, si dhe financimin e shërbimit të trombektomisë, i cili ka nisur gjatë vitit 2026.
“Pacientët e marrin këtë shërbim si në QSUT ashtu edhe në Spitalin Memorial, duke krijuar një bashkëpunim të rëndësishëm mes dy strukturave”, tha ministrja.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas saj, është transformimi i Shërbimit të Onkologjisë në Institutin Kombëtar të Onkologjisë, duke nisur nga muaji janar.
“Nga janari, shërbimi i Onkologjisë do të transformohet në Institutin Kombëtar të Onkologjisë. Kjo do t’i japë një vlerë të shtuar jo vetëm qendrës terciare, por edhe spitaleve rajonale ku ofrohen shërbime onkologjike”, deklaroi Spahiu.
Ministrja foli edhe për planet e ristrukturimit të spitaleve bashkiake, të cilat sipas saj do të shfrytëzohen për ofrimin e shërbimeve të tjera që mungojnë aktualisht në sistem.
Sa i përket burimeve njerëzore, Spahiu tha se në shkurt të vitit 2027 do të diplomohen rreth 100 mjekë specialistë, ndërsa do të licencohen edhe 250 mjekë të tjerë që kanë kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Kjo do të na mundësojë të plotësojmë më mirë nevojat për personel mjekësor në të gjithë vendin”, u shpreh ajo.
Ministrja shtoi se Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit për një planifikim më të mirë të burimeve njerëzore në sektorin e shëndetësisë.
“Po punojmë që të kemi një planifikim sa më të mirë të burimeve njerëzore, në mënyrë që të mos përballemi me mungesa në të ardhmen”, përfundoi Spahiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



