Paralizohet transporti publik në Milano dhe Venecia, grevë 24-orëshe
Zv.presidenti amerikan JD Vance po shqyrton seriozisht mundësinë që të mos kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara në vitin 2028.
Humbja e republikanëve në zgjedhjet e fundit për Kongresin, lufta e papëlqyer me Iranin dhe përçarjet brenda lëvizjes MAGA kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij politike.
Sipas një raportimi të CNN, i cili citon rreth një duzinë aleatësh dhe këshilltarësh të Vance, zv.presidenti po përballet me dilema të rëndësishme për ambiciet e tij presidenciale. Ai mbetet i përkushtuar ndaj rindërtimit të lëvizjes që solli Donald Trumpin në pushtet në vitin 2024, por nuk është më i sigurt nëse duhet të jetë vetë personi që do ta udhëheqë atë në zgjedhjet e ardhshme.
“Do të më habiste çdo vendim që ai do të merrte. “Ai është vetëm 42 vjeç. Është mjaftueshëm i ri për t’u rikthyer, nëse kjo situatë politike e bën të pamundur suksesin. Ndoshta thjesht nuk është koha e tij”, tha një prej personave të afërt me Vance për CNN.
Vance, i cili deri vonë konsiderohej favoriti kryesor i republikanëve për vitin 2028, ende nuk ka vendosur një afat për marrjen e vendimit. Megjithatë, kandidimi mbetet një mundësi konkrete dhe disa prej mbështetësve të tij besojnë se ka më shumë gjasa që ai të hyjë në garë sesa të tërhiqet.
Një nga faktorët që po ndikon më shumë në dilemat e Vance është lufta me Iranin, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të konsiderueshme te votuesit amerikanë dhe ka dëmtuar mbështetjen për administratën Trump.
Disa prej aleatëve të zv.presidentit e konsiderojnë konfliktin pengesën më të madhe për një kandidim të mundshëm në vitin 2028.
“Pyetja nuk është nëse JD mund ta bëjë këtë. Pyetja është: Nëse lufta me Iranin vazhdon ende, a mund të fitojë ndonjë republikan? Nëse nuk i japin fund luftës në Iran, asnjë republikan nuk ka shanse në vitin 2028”, tha një aleat i tij për CNN.
Pakënaqësia u bë veçanërisht e dukshme pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, kur republikanët pësuan humbje të rënda.
“Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë”, shkroi Vance në rrjetin social X.
Ai shtoi se çdo diskutim i sinqertë për të ardhmen e Partisë Republikane duhet të nisë nga kjo çështje, duke vënë në pikëpyetje nëse kostoja politike e konfliktit ia kishte vlejtur.
Deklarata e tij shkaktoi pakënaqësi te Trump. Sipas dy personave të njohur me diskutimet brenda administratës, presidenti ishte zemëruar me faktin që zv.presidenti nuk kishte mbrojtur publikisht vendimin për ndërhyrjen ushtarake në Iran. Megjithatë, Trump u përpoq ta minimizonte përplasjen në deklaratat publike.
“Ai kishte të drejtë, përveç një gjëje. Duhej të kishte shtuar edhe një deklaratë tjetër: ‘Nëse do t’ju duhej ta bënit përsëri, a do ta bënit?’ Përgjigjja është po”, tha presidenti të dielën.
Ndërsa e ardhmja e Vance mbetet e paqartë, disa figura të tjera republikane kanë nisur të pozicionohen për garën presidenciale.
Mes emrave që po përmenden janë guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, senatori i Teksasit, Ted Cruz, dhe guvernatori i Xhorxhias, Brian Kemp.
Edhe komentatori konservator Tucker Carlson ka lënë të hapur mundësinë e një kandidimi të pavarur, skenar që mund të ndikonte ndjeshëm në garën e vitit 2028.
Ndërkohë, Rich Baris, një sondazhist i afërt me lëvizjen MAGA, beson se republikanët po përballen me një krizë të thellë besueshmërie te mbështetësit e tyre.
“MAGA ka vdekur. Problemi që do të ketë zv.presidenti është se duhet t’i motivojë këta votues dhe t’i bëjë të besojnë përsëri, sepse marka e Partisë Republikane e ka humbur plotësisht besueshmërinë tek ata”, deklaroi Baris.
Sipas sondazheve të përmendura nga CNN, republikanët kanë humbur mbështetje mes të rinjve, burrave, votuesve latinoamerikanë dhe amerikanëve të bardhë pa arsim universitar.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në vendimin e zv.presidentit është qëndrimi i Donald Trumpit. Presidenti amerikan ende nuk ka konfirmuar nëse do ta mbështesë Vance si pasardhës të tij politik.
Në prapaskenë, Trump u ka thënë bashkëpunëtorëve se dëshiron të presë dhe të shohë se si do të pozicionohen kandidatët e mundshëm përpara se të japë mbështetjen e tij.
I pyetur në emisionin “60 Minutes” nëse do ta mbështeste Vance, Trump u përgjigj: “Ndoshta, por jo domosdoshmërisht”.
Nga ana tjetër, Vance mund të mbështetet te një rrjet i fuqishëm donatorësh, ku përfshihen miliarderi Elon Musk dhe investitori Peter Thiel.
Top Channel