Rindizet konflikti në Lindjen e Mesme, Irani sulmon radarin e SHBA-së në Bahrein

13/11/2026 18:15

Në një lëvizje që sinjalizon rindezjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka goditur e shkatërruar në Bahrein një sistem amerikan radarësh të paralajmërimit të hershëm.

Sipas Pasdaranëve, sulmi ishte në fakt kundërpërgjigje ndaj një goditjeje ajrore armike kundër një kulle telekomunikacioni në qytetin Sirik, në jug të Iranit.

Teherani e përshkroi shkatërrimin e radarit si paralajmërim ndaj SHBA-së, duke kërkuar ndalimin e provokimeve ajrore dhe të aktiviteteve që i konsideron kontrabandë nafte në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmi nuk është konfirmuar nga autoritetet e Bahreinit dhe as Shtetet e Bashkuara. Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë strategjike për tregtinë globale të energjisë.

Që prej nisjes së luftës mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt, Teherani ka kufizuar lundrimin në këtë korridor detar dhe ka goditur disa infrastruktura në vendet e Gjirit, përfshirë aeroporte, porte, objekte energjetike dhe asete amerikane.

Ndërkohë, SHBA-ja ka vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane dhe ka shtuar presionin ekonomik ndaj Teheranit, me synimin të kufizojë tregtinë dhe flukset financiare të vendit. Incident ii sotëm vjen një ditë presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni nuk ka më nevojë për marrëveshje me Teheranin.

“Marrëveshjes i iku koha. Ne i kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe i kemi marrë Ngushticën e Hormuzit”, ishte mesazhi i Trumpit, që në të njëjtin postim i kishte kërkuar nënpresidentit JD Vance që ta përqendronte “tërë vëmendjen e tij” te çështjet e brendshme dhe  korrupsioni e kriminalitet në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët.

Top Channel