Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ka goditur dhe shkatërruar në Bahrein një sistem amerikan radarësh të paralajmërimit të hershëm, në një zhvillim që sinjalizon rindezjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas Pasdaranëve, goditja ishte kundërpërgjigje ndaj një sulmi ajror armik mbi një kullë telekomunikacioni në Sirik, qytet në jug të Iranit.
Të lidhura
None found
Teherani e cilësoi shkatërrimin e radarit si paralajmërim për SHBA-në dhe kërkoi ndalimin e provokimeve ajrore, si edhe të veprimtarive në Ngushticën e Hormuzit që i konsideron kontrabandë nafte.
As autoritetet e Bahreinit dhe as Shtetet e Bashkuara nuk e kanë konfirmuar sulmin. Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë një pikë strategjike për tregtinë botërore të energjisë.
Që nga fillimi i luftës mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt, Teherani ka kufizuar lundrimin në këtë korridor detar. Ai ka goditur gjithashtu infrastruktura në disa vende të Gjirit, mes tyre aeroporte, porte, objekte energjetike dhe asete amerikane.
Nga ana tjetër, SHBA-ja ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane dhe ka rritur presionin ekonomik mbi Teheranin, me synimin të kufizojë tregtinë dhe flukset financiare të vendit. Incidenti i sotëm ndodh një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Uashingtonit nuk i nevojitet më një marrëveshje me Teheranin.
“Marrëveshjes i iku koha. Ne i kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe i kemi marrë Ngushticën e Hormuzit”, shkroi Trump. Në të njëjtin postim, ai i kërkoi nënpresidentit JD Vance të përqendronte “tërë vëmendjen e tij” te çështjet e brendshme, si edhe te korrupsioni dhe kriminaliteti në qytetet e shtetet e drejtuara nga demokratët.







