
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në “Foltoren e Ripërtëritjes” në Kukës. Lideri i opozitës deklaroi se qeverisja aktuale po nxit largimin masiv të shqiptarëve dhe po e kthen vendin në një territor të kontrolluar nga krimi i organizuar.
“Në disa aspekte, shqiptarët nuk kanë patur kurrë në historinë e tyre regjim i cili kërkon me çdo kusht të zhbëjë kombin shqiptar në Shqipëri. Kërkon të dëbojë masivisht shqiptarët nga Shqipëria, kërkon të shtrojë Shqipërinë përfundimisht në një çiflig të drogës dhe mafies më të rrezikshme në Europë”, u shpreh Berisha. Gjatë takimit, kreu demokrat vlerësoi qëndresën e qytetarëve dhe pjesëmarrjen e tyre në protestat kundër qeverisë, duke e cilësuar lëvizjen e qershorit si një nga momentet më të rëndësishme të mobilizimit qytetar.
“Ju qëndruat, qëndruat me votë si dritë, si dëshmi e qytetarit të pamposhtur. Por, qëndruat ju, qëndruat ju dhe ne pamë në qershor uraganin më të fuqishëm të shqiptarëve në historinë e tyre”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, protestat treguan se pakënaqësia ndaj qeverisë shtrihet përtej radhëve të opozitës, duke përfshirë edhe qytetarë që më parë kishin mbështetur mazhorancën. Një vëmendje të veçantë në fjalimin e tij ai i kushtoi të rinjve, veçanërisht studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, të cilët i përgëzoi për guximin dhe pjesëmarrjen në demonstrata. “Në këtë lëvizje, në të cilën Edi Rama përdori barbaritë më të mëdha, e vërteta është, studentë dhe gjimnazistë i dhanë atij dënimin, vdekje politike pa apel!”, theksoi Berisha.
Në përfundim, kryetari i PD-së e përshkroi periudhën e protestave dhe mobilizimit opozitar si një kapitull të rëndësishëm për vendin. “Po po, por miq, kanë qenë gjashtë muajt më pozitivë ndër më pozitivët në historinë tonë kombëtare”, përfundoi ai.
