Një telefon celular i markës iPhone është zbuluar në ambientet e përbashkëta të burgut të Shkodrës, gjatë një kontrolli të zhvilluar më 13 nëntor nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me grupin e sigurisë së institucionit.
Sipas njoftimit, pajisja u konstatua gjatë verifikimeve në ambientet e përbashkëta të IEVP-së, ku mbajtja e telefonave celularë përbën shkelje të rregullave të sigurisë.
Pas zbulimit, AMSEVP ka nisur veprimet e para procedurale. Në përfundim të tyre, materialet do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Hetimet do të kryhen për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.


