Radoiçiç është larguar drejt Rusisë?

13 Nëntor 2026 | 18:36


Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviç, ka deklaruar se, sipas informacioneve jozyrtare që disponon, Milan Radoiçiç është larguar nga Serbia dhe ka udhëtuar drejt Rusisë.

Në një intervistë për televizionin serb N1, Zvezdanoviç ka bërë të ditur se informacionet për largimin e Radoiçiçit i ka siguruar nga burime të tij brenda BIA-s, shkruan KosovaPress.

I pyetur nëse Radoiçiç është larguar me leje zyrtare apo në mënyrë të paligjshme, ish-inspektori ka vënë në dukje se Partia Përparimtare Serbe (SNS) vazhdon të jetë në pushtet.

“Atij nuk i është dashur leje”, ka deklaruar Zvezdanoviç.

Ai ka pretenduar gjithashtu se largimi i Radoiçiçit ka shkaktuar shqetësim në disa qarqe të udhëheqjes së BIA-s, të cilat, sipas tij, kanë qenë të përfshira në marrëdhënie biznesore dhe skema kriminale me të.

Ndërkohë, televizioni N1 rikujton se ndaj Radoiçiçit ishte marrë një vendim gjyqësor për konfiskimin e pasaportës dhe ndalimin e largimit nga territori i Serbisë.

Përveç këtyre masave, ai ishte detyruar të paraqitej në stacionin përkatës policor më datat 1 dhe 15 të çdo muaji.
Sipas N1, më 29 tetor, mediumi i ishte drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për informacion, për të mësuar nëse Radoiçiq po i përmbushte detyrimet e paraqitjes së rregullt në polici. Megjithatë, deri në publikimin e raportimit, gjykata nuk kishte kthyer përgjigje.

Milan Radoiçiç është një nga personat e përfshirë në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës. Gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

Radoiçiç kishte marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit, i cili shkaktoi tensione të mëdha dhe reagime ndërkombëtare.

Deri më tani, pretendimet për largimin e tij drejt Rusisë mbeten informacione jozyrtare të bëra publike nga ish-inspektori i BIA-s dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet serbe.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Statusi i vendit kandidat për Kosovën, Koopman: Ende s’jemi në atë pikë, Ligji për Specialen, i padobishëm

Gert Jan Koopman, drejtori i Përgjithshëm për Negociatat me Vendet e Fqinjësisë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, ka folur për çështjen e vendit kandidat për...
16:58 | 13/11/2026

Shiroka-Pula: SHBA mbetet partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Në...
15:24 | 13/11/2026

150 mijë euro të padeklaruara zbulohen në doganën e Vërmicës, konfiskohen një pjesë e parave

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 150 mijë euro të padeklaruara në një makinë në pikën kufitare të Vërmicës. Dogana e Kosovës ka bërë...
14:13 | 13/11/2026