Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe aktorë të tjerë politikë se janë përpjekur të dobësojnë opozitën dhe të zëvendësojnë Partinë Demokratike me një forcë opozitare të kontrolluar.

Duke komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë, Berisha deklaroi se PD-ja e ka mbështetur plotësisht lëvizjen protestuese, duke theksuar se, pas ditëve të para, demokratët përbënin shumicën numerike në sheshet e protestës.

Sipas tij, thirrjet kundër Ramës dhe Berishës, si dhe akuzat ndaj PD-së për një opozitë të shitur, ishin pjesë e një skenari që synonte goditjen e Partisë Demokratike.

Berisha pretendoi se pas këtyre qëndrimeve qëndronin përpjekje për të instaluar atë që ai e cilësoi si një model serb të opozitës së kontrolluar.

Ai theksoi se demokratët nuk kishin tentuar të merrnin nën kontroll protestën, por ishin bashkuar me qytetarët pa vendosur kushte dhe pa kritikuar lëvizjen.

“Mbështetje e plotë dhe totale për protestën! Përjashto tre-katër ditët e para, demokratët kanë qenë shumicë numerike çdo ditë në atë protestë”, u shpreh Berisha.

Në vijim, kreu i PD-së mbrojti vendimin për t’iu bashkuar protestuesve, pavarësisht thirrjeve kundër tij dhe forcës politike që drejton.

“Ne kemi një moto: I pari qytetari. Pra, ne e duam këtë flamur, por ne duam qytetarin të parin”, deklaroi ai, duke shtuar se Partia Demokratike nuk kishte bërë përpjekje për të marrë drejtimin e protestës.

Në përfundim, Berisha i cilësoi kundërshtarët e PD-së si armiq të saj, duke paralajmëruar se partia nuk do të tërhiqet përballë përpjekjeve që, sipas tij, synojnë dobësimin e opozitës.