Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit europian dhe synon të përmbyllë negociatat deri në fund të vitit 2027, por rruga drejt anëtarësimit vijon të shoqërohet me problematika të rëndësishme institucionale dhe demokratike.
Një studim analitik i Parlamentit Europian, që shqyrton ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, evidenton arritjet e vendit, por edhe sfidat që mbeten për t’u kapërcyer.
Në fokus të analizës janë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësia e institucioneve, funksionimi i administratës publike, polarizimi politik dhe respektimi i standardeve demokratike.
Negociatat dhe objektivi i vitit 2027
Shqipëria vlerësohet për ritmin e avancimit në procesin e negociatave dhe angazhimin politik për integrimin europian. Pas hapjes së negociatave në korrik 2022, vendi arriti të hapë të gjashtë grupkapitujt gjatë viteve 2024-2025.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte përmbushja e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, “Themeloret”, në maj 2026, ndërsa në korrik të këtij viti u shënua mbyllja provizore e tre kapitujve të parë.
Megjithatë, objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 konsiderohet ambicioz dhe kërkon rezultate konkrete në zbatimin e reformave, jo vetëm avancim në procesin teknik.
SPAK vlerësohet, por PE kërkon rezultate përfundimtare
Reforma në drejtësi e vitit 2016 dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë konsiderohen ndër zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian.
Në veçanti, studimi vlerëson pavarësinë institucionale të SPAK-ut dhe punën e tij në hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe personave të ekspozuar politikisht.
Megjithatë, Parlamenti Europian nënvizon se rezultatet e arritura duhet të konsolidohen, veçanërisht përmes vendimeve përfundimtare të dënimit në çështjet e profilit të lartë.
Shqetësime mbeten gjithashtu ndikimi i mundshëm politik mbi institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si dhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Polarizimi politik dhe përqendrimi i pushtetit
Një tjetër problematikë e evidentuar në dokument lidhet me funksionimin e demokracisë dhe marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës.
Studimi ndalet te polarizimi i fortë politik dhe përqendrimi i pushtetit rreth ekzekutivit, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës institucionale.
Në analizë përmenden edhe shqetësimet për pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias.
Sa i përket administratës publike, PE evidenton politizimin e strukturave shtetërore, mungesën e kapaciteteve, largimet dhe qarkullimin e lartë të punonjësve, si dhe zbatimin jo të qëndrueshëm të parimit të meritokracisë.
Sipas dokumentit, nevojitet përmirësimi i procedurave të rekrutimit, kufizimi i ndërhyrjeve politike në emërimet e niveleve të larta dhe forcimi i koordinimit institucional.
“Revolucioni i Flamingove” në analizën e Parlamentit Europian
Një vëmendje të veçantë në studim marrin edhe protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë verës së vitit 2026, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.
Sipas analizës, tubimet nisën si reagim ndaj një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, ku kundërshtimet lidhen me mungesën e transparencës, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës shtetërore.
Por protesta mori më pas përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një reagim ndaj mënyrës së qeverisjes dhe kërkesave për respektimin e parimeve demokratike.
Dokumenti e përshkruan këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në peizazhin politik dhe qytetar të Shqipërisë, duke e lidhur me shqetësimet për përqendrimin e pushtetit politik rreth kryeministrit Edi Rama.
Mbështetja për BE-në dhe përfitimet ekonomike
Në aspektin e politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
Anëtarësimi në NATO dhe orientimi euroatlantik konsiderohen gjithashtu avantazhe për pozicionin e vendit në raport me Unionin.
Një tjetër element pozitiv është mbështetja e lartë e qytetarëve për anëtarësimin në BE, e cila, sipas të dhënave të Balkan Barometer të cituara në studim, vijon të jetë mbi 80-90 për qind.
Në planin ekonomik, analiza evidenton pjesëmarrjen e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Sipas shifrave të paraqitura në dokument, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara dhe ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga fondi potencial prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.
Përfundimi: Ritmi i negociatave nuk mjafton
Në përfundim, studimi i Parlamentit Europian nënvizon se Shqipëria ka bërë hapa përpara në procesin e integrimit, por përshpejtimi i negociatave nuk duhet ngatërruar me përmbushjen e standardeve të kërkuara për anëtarësim.
Për të realizuar objektivin e vitit 2027, vendi duhet të dëshmojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të garantojë pavarësinë e institucioneve, të përmirësojë administratën publike dhe të forcojë standardet demokratike.
Mesazhi i analizës është se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk do të varet vetëm nga shpejtësia me të cilën Shqipëria zhvillon negociatat, por mbi të gjitha nga rezultatet konkrete që arrin në funksionimin e shtetit dhe institucioneve.













