-Botuar në web e radios shtetrore gjermane DW-
Një ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoftit, duke përfshirë Outlook dhe Teams, ka shkaktuar probleme në bizneset dhe institucionet qeveritare në të gjithë botën. Microsoft po përpiqet ta zgjidhë problemin.
Shërbimet e Microsoftnë Cloud, përfshirë shërbimin e e-mailit Outlook, janë përballur me probleme të mëdha teknike për orë të tëra. Kompanitë dhe institucionet qeveritare në të gjithë botën janë prekur, si dhe përdoruesit privatë të shërbimeve të Microsoft.
Platforma e monitorimit të problemeve teknike Downdetector njofton se dështimi u përhap në të gjithë botën në një kohë shumë të shkurtër dhe shkaktoi ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft në 74 vende dhe rajone.
Nuk ka shenja të “aktivitetit keqdashës”
Sipas Microsoft, masat e ndërmarra gjatë natës midis të enjtes dhe të premtes “nuk dhanë rezultatet e pritura”. Kompania po kërkon mënyra alternative për të rritur kapacitetin e serverit. Ndërprerja preku kryesisht funksionet e paketës Microsoft 365 që bazohen në platformën e e-mailit Exchange Online, e cila funksionon në Cloud.
Microsoft aktualisht nuk sheh shenja se ndërprerja globale në funksionimin e produkteve të saj është rezultat i “aktivitetit keqdashës”.
Fillimisht, mendohej se problemet janë përhapur vetëm në Amerikë. Më vonë, gjigandi amerikan i softuerëve njoftoi se problemet e lidhjes mund të ndikojnë në përdoruesit e Microsoft 365 në të gjithë botën. Mijëra raportime për ndërprerje u regjistruan gjithashtu për shërbimin e komunikimit Microsoft Teams dhe asistentin e inteligjencës artificiale Copilot. Të dy aplikacionet janë pjesë e ofertës së Microsoft për cloud, Microsoft 365.
Ndërprerje edhe në shërbimet e inteligjencës
Ndërprerja preku edhe sisteme të ndjeshme qeveritare. Në Australi, shërbimi i inteligjencës dhe policia federale raportuan ndërprerje. Qeveria në Canberra aktivizoi një marrëveshje me Microsoft për të siguruar rivendosjen prioritare të sistemeve. Ministri Australian për Punët e Brendshme dhe Sigurinë Kibernetike, Tony Berk, tha se Microsoft nuk beson se ishte një sulm kibernetik.
Me sa duket, shkaku ishte një përditësim i gabuar, i ngjashëm me atë që shkaktoi rënien globale të IT-së për shkak të kompanisë së sigurisë CrowdStrike në vitin 2024. Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së raportoi gjithashtu kufizime në funksionimin e sistemeve të saj.
Pasojat u ndjenë edhe në ekonomi. Kompanitë e inteligjencës artificiale OpenAI dhe Anthropic kanë hetuar probleme me ndërfaqet që lidhen me shërbimet e Microsoft, të cilat nuk po funksiononin siç pritej. Prodhuesi amerikan i kamionëve elektrikë Workhorse Group ka vonuar publikimin e rezultateve të tij tremujore për shkak të problemeve të IT-së.
“Përmirësim i kufizuar” – problemet vazhdojnë
Sipas Microsoft, “një pjesë e infrastrukturës në disa rajone po përjetonte ngarkesë të shtuar”. Kjo “ka të ngjarë të ketë kontribuar në gabimet e lidhjes”, njoftoi kompania në rrjetin social X. “Ne po bëjmë përpjekje maksimale për të gjetur të gjitha opsionet për të zbutur pasojat”.
Kompania më vonë tha se ishte regjistruar vetëm “përmirësim i kufizuar”. Po bëheshin përpjekje për të ridrejtuar trafikun e përdoruesve nga serverat e prekur. “Sapo të rikthehet kapaciteti, situata për përdoruesit duhet të përmirësohet gradualisht”, thuhej në deklaratë.
Kompania njofton se është duke punuar me të gjitha kapacitetet për menjanimin e problemeve./DW/
