Infantino nën hetim në SHBA, dyshime për punësim të paligjshëm dhe lidhje me administratën Trump
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë në qendër të një skandali të ri në Shtetet e Bashkuara, ku dyshohet se ka punësuar në mënyrë të parregullt një punonjëse shtëpie në rezidencën e tij në Majami, ndërsa pagën e saj e mbulonte institucioni më i lartë i futbollit botëror.
Sipas raportimeve të mediave britanike, çështja pritet të shqyrtohet nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në SHBA (IRS), ndërsa pretendimet përfshijnë edhe përdorimin e lidhjeve me administratën e presidentit Donald Trump për t’i siguruar punonjëses dokumentacionin e nevojshëm për qëndrimin dhe punësimin në vend.
Nëse shkeljet e pretenduara provohen, FIFA mund të përballet me pasoja të rënda financiare, përfshirë humbjen e statusit të privilegjuar si organizatë jofitimprurëse në SHBA dhe detyrimin për të paguar taksa që mund të arrijnë në miliarda dollarë.
Sipas raportimeve, gjatë periudhës nga qershori 2025 deri në vitin 2026, në prag të Kupës së Botës që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Infantino ka qëndruar në një vilë në Majami. Aty ai dyshohet se kishte punësuar një 30-vjeçare nga Nikaragua për shërbime shtëpiake, ndonëse ajo figurohej si punonjëse në listën e pagave të FIFA-s.
Pretendimet janë se gruaja punonte ekskluzivisht në rezidencën private të Infantinos, duke kryer shërbime për të dhe partneren e tij, Leena, ndërsa paguhej nga organizata botërore e futbollit.
FIFA i ka mohuar akuzat. Një zëdhënës i saj deklaroi se çështjet që lidhen me jetën private të presidentit janë personale, por theksoi se shpenzimet për personelin shtëpiak mbulohen nga vetë Infantino.
Megjithatë, gazeta britanike “The Telegraph” i referohet një dokumenti të brendshëm të janarit 2026, sipas të cilit një degë e FIFA-s i kishte paguar punonjëses pagën e plotë për periudhën 1 gusht 2024 deri më 31 tetor 2025. Pikërisht kjo marrëdhënie kontraktuale pritet të jetë një nga pikat kryesore të hetimit.
Dyshime për ndërhyrje përmes lidhjeve me administratën Trump
Punonjësja, shtetase e Nikaraguas, kishte hyrë në SHBA përmes një programi për refugjatët dhe dispononte leje pune. Megjithatë, pas ashpërsimit të politikave të emigracionit nga administrata Trump në vitin 2025, ajo u përball me rrezikun e dëbimit.
Sipas mediave britanike, Infantino kishte vijuar ta mbante të punësuar në rezidencën e tij për gati një vit, ndërkohë që statusi i saj ligjor ishte i paqartë. Në të njëjtën kohë, pretendohet se ai kishte kërkuar ndërmjetësimin e bashkëpunëtorëve për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm.
Në këtë proces përmendet edhe Carlos Cordeiro, bashkëpunëtor i afërt i Infantinos në SHBA dhe anëtar i grupit të punës për Kupën e Botës 2026. Sipas raportimeve, Cordeiro kishte ndërmarrë kontaktet me përfaqësues të administratës amerikane, pas të cilave shtetasja nga Nikaragua mori një leje të ligjshme pune në janar 2026.
Rrezikohen miliarda dollarë për FIFA-n
Ankesa kundër Infantinos është paraqitur nga Abed Ayoub, avokat i specializuar në të drejtën e emigracionit. Ai ka paralajmëruar se, nëse pretendimet provohen, FIFA mund të humbasë statusin e saj si organizatë jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara.
Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të konsiderueshme financiare për institucionin, i cili aktualisht përfiton nga lehtësitë tatimore që lidhen me këtë status.
Në rast të humbjes së tij, FIFA mund të detyrohet t’i nënshtrohet taksës korporative prej 21% mbi të ardhurat e tatueshme. Kjo merr rëndësi të veçantë në prag të Kupës së Botës 2026, nga e cila organizata parashikon të ardhura rreth 15 miliardë dollarë.
Për momentin, bëhet fjalë për pretendime që kërkojnë verifikim nga autoritetet amerikane. Hetimi pritet të përcaktojë nëse janë shkelur rregullat e punësimit dhe ato tatimore, si dhe nëse fondet e FIFA-s janë përdorur për qëllime private të presidentit të saj.
“Mélenchon, person non grata”: Izraeli i ndalon hyrjen në vend kandidatit për president të Francës
Cilësia e ajrit në Nju Delhi arrin nivele “të rrezikshme”
Meloni dhe Zelensky takohen në një atmosferë miqësore, përqafime dhe batuta në Dublin (VIDEO)
- 19:24 Bild: Rusia kërkoi tërheqjen e Finlandës nga NATO. Kremlini dhe Helsinki mohojnë
- 19:04 Alarm në një fabrikë kimike në Rumani, rrjedhja e klorit helmon pesë persona, njëri në gjendje të rëndë
- 19:00 Reshjet intensive shkaktojnë vërshime në Malësi të Madhe, bllokohet aksi Theth–Ndërlysaj
- 18:55 “Mélenchon, person non grata”: Izraeli i ndalon hyrjen në vend kandidatit për president të Francës
- 18:47 Cilësia e ajrit në Nju Delhi arrin nivele “të rrezikshme”
- 18:44 Mashtroi dy të moshuar për 300 mijë euro duke pretenduar se kishte lidhje me Berlusconin, dënohet 41-vjeçarja në Itali