
Drejtori i shërbimit sekret izraelit Mossad ndodhet të premten në Uashington për bisedime me zyrtarë të lartë të administratës Trump lidhur me luftën në Iran, sipas tre burimeve që kanë dijeni për këtë çështje.
Vizita e Roman Gofmanit, një prej njerëzve më të besuar të Benjamin Netanyahut, vjen në një kohë kur kryeministri izraelit po i kërkon presidentit Trump të rifillojë luftën kundër Iranit.
Gofman po takohet me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, thanë burimet. Sipas njërit prej tyre, ai pritet të udhëtojë gjithashtu drejt Majamit për t’u takuar me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff.
Mossad, CIA dhe Shtëpia e Bardhë nuk pranuan të komentojnë, shkruan Axios.
Situata aktuale: Deri tani, Trump i ka rezistuar presionit të Netanyahut për t’u rikthyer në luftime. Sipas një zyrtari amerikan, të dy diskutuan për luftën në Iran gjatë një telefonate më 5 nëntor.
Në vend të kësaj, presidenti ka mbështetur qëndrimin e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të vazhduar bllokadën detare dhe fushatën e presionit ekonomik ndaj Iranit, ndërkohë që shqyrtohet mundësia e arritjes së një marrëveshjeje.
“Unë mund t’i jap fund menjëherë. Me kërkesë të vendeve që po përpiqem të mbroj, po zgjedhim një rrugë pak më të gjatë dhe pak më diplomatike”, tha Trump të enjten.
“Arabia Saudite më ka kërkuar që, ju lutem, ta lëmë situatën ashtu siç është tani edhe për njëfarë kohe, sepse [Irani] po shpërbëhet. Katari, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini — të gjitha këto vende do të preferonin shumë që të vazhdonim të prisnim.”
Prapaskena politike: Netanyahu ka humbur shumicën në parlament pas zgjedhjeve të 27 tetorit në Izrael.
Rivali i tij, Gadi Eisenkot, ka marrë mandatin për të formuar një qeveri të re. Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të arrijë ta bëjë këtë.
Ndërkohë, drejtuesit e opozitës izraelite janë të shqetësuar se Netanyahu mund të përpiqet të nisë një sulm ndaj Iranit — ose ta provokojë Iranin që të sulmojë Izraelin — me qëllim që të minojë përpjekjet e Eisenkotit, thanë burimet. Nëse Eisenkoti ia del të formojë qeverinë, Netanyahu do të largohet nga pushteti.
Të enjten, Netanyahu u takua për dy orë me Eisenkotin dhe e informoi atë për situatën lidhur me Iranin.
Një burim pranë Eisenkotit tha se ky i fundit nuk mendon se situata aktuale kërkon veprime të menjëhershme ushtarake kundër Iranit.
Çfarë thonë palët: Eisenkoti deklaroi të premten se këtë javë ishte takuar me Netanyahun dhe sekretarin e tij ushtarak, duke shtuar se “e bëra të qartë se nuk do të lejoj mungesën e mbikëqyrjes” mbi veprimet e kryeministrit gjatë periudhës së tranzicionit qeveritar.
“Për mua, siguria e Izraelit ka përparësi ndaj çdo konsiderate tjetër dhe nuk duhet të përdoret kurrë si mjet për përfitime politike. Këtë pres edhe nga të gjithë zyrtarët që mbajnë poste publike”, tha Eisenkoti.