“Kërkesat brutale të Rusisë”. Ky është titulli i artikullit të përditshmes gjermane “Bild” ku raportohet se janë zbardhur disa nga kushtet e Putinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas gazetës gjermane përfaqësuesit rusë kanë paraqitur gjatë bisedimeve joformale për përfundimin e luftës një propozim që shkon përtej konfliktit në Ukrainë dhe prek të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë. Moska kërkon kontrollin e plotë të Donbasit, përfshirë edhe territoret që aktualisht mbahen nga forcat ukrainase. Në plan parashikohet gjithashtu që Ukraina të ketë status neutral dhe të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, ndërsa rruga drejt Bashkimit Evropian të mbetet e hapur. Kërkesat ruse përfshijnë edhe largimin e bazave të NATO-s nga Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe tërheqjen e Finlandës nga Aleanca Atlantike. Ndërsa portet ukrainase të Odesës dhe Mykolaivit do të duhej të çmilitarizoheshin, duke mos u përdorur si baza detare.