Shqipëria konsiderohet një nga dy vendet pararojë të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, por përshpejtimi i negociatave nuk ka eliminuar ende problematikat. Parlamenti Europian ka publikuar një studim analitik mbi ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE. Në dokument theksohet se Shqipëria ka shënuar progres në procesin e negociatave, duke hapur të gjashtë grupkapitujt gjatë viteve 2024-2025. Një vlerësim pozitiv merr reforma në drejtësi e vitit 2016, veçanërisht procesi i vettingut dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë. Roli i SPAK dhe BKH-së në hetimin e korrupsionit në nivele të larta konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm.