
Nënkryetari i PD-së Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për abuzime me fondet publike. Duke iu referuar gjetjeve të KLSH-së për administrimin financiar të Bashkisë së Durrësit gjatë viteve 2023-2024 ai shkruan se dëmi i shkaktuar është rreth 30 milionë euro.
Sipas denoncimit të tij, problematikat lidhen kryesisht me mënyrën e zhvillimit të tenderëve, zbatimin e projekteve dhe punimeve publike, si dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave vendore.
“Pushteti i Edi Ramës është kudo njësoj, korrupsion dhe abuzim e vjedhje!
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se në dy vite, përkatësisht për periudhën 2023-2024, Bashkia e Durrësit i ka shkaktuar një dëm taksapaguesve prej 30 milionë eurosh.
Abuzimi më i madh është në tendera. Janë favorizuar kompani që nuk plotësojnë kriteret, por që janë klientelë e pushtetit. Parregullsi dhe shkelje ligjore, KLSH ka konstatuar në dhjetra praktika. Buxheti i Bashkisë së dytë më të madhe në vend është përdorur sipas interesave dhe tarafeve.
Punime publike pa leje, mungesa të theksuara në arkëtimin e të ardhurave, janë shkeljet e shumta të evidentuara. Lejim i ndërtimeve pa leje është një dukuri e zakonshme. Kjo ndodh kundrejt rryshfetit ose përmes trafikut të influencës.
Kjo është mënyra se si njerëzit e Edi Ramës dhe mekanizmi i ngritur prej tij funksionojnë. Në Tiranë e kudo. Eshtë e njëjta skemë, e njëjta filozofi. Trajtimi i pushtetit në mënyrë personale, dhe menaxhimi i aseteve publike sikur të ishin pronë private.
Në çdo zyrë, në çdo ministri, në secilën bashki operohet në të njëjtën mënyrë. Këta janë bashkëpunëtorët dhe të besuarit e Kryeministrit më të korruptuar në Europë. Korrupsioni, abuzimi, përfitimi është përkatësia e tyre, është e vetmja ideologji që kanë.
Eshtë kjo arsyeja pse ka revoltë në Tiranë, në Durrës e kudo në gjithë Shqipërinë. Regjimi i zhvatjes e plaçkitjes mban peng vendin dhe varfëron qytetarët.
Edi Rama duhet të largohet bashkë me të korruptuarit e tij në qeveri apo në pushtetin lokal.”