
Kryedemokrati Berisha elektrizoi të pranishmit në foltoren e ripërtëritjes në Kukës teksa tha se tashmë është radha e demokratëve për të ardhur në pushtet.
Ai u bëri thirrje edhe njëherë të gjitha forcave politike që kanë si synim largimin e kryeministrit Rama të bashkohen në një front opozitar të përbashkët.
“Tani është radha jonë! Tani është radha jonë dhe këtë radhë ne kemi detyrat tona të vështira, jo të lehta, por të përmbushura plotësisht. Së pari ne duhet të bashkohemi. Duhet të bashkohemi me përpjekjen tonë më serioze. Ju rikujtoj se një radhë here e kam përsëritur gjatë asaj periudhe që u thoja atyre që lëshonin slogane kundra nesh se ‘armiku i armikut tim është aleati im kundër të keqes më të madhe’. Dhe ata në fakt nuk ishin armiku i armikut tonë, ata ishin çirakë të armikut tonë që paguheshin prej tij dhe ikën siç ishin. Por, duhet të bashkohemi.
Duhet të bashkohemi përsëri, me të gjitha forcat politike, pavarësisht nga programe shumë të ndryshme që kemi, pavarësisht nga kimia, të themi apo empatia që mund të kemi ndaj njëri-tjetrit e të tjerë me radhë. Për të gjithë ata që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe të këtij kombi, ora e së vërtetës thërret të bashkohemi.
Të bashkohemi sepse të bashkuar mund ta hedhim ku e meriton, me koston më të ulët.
Nuk është se ai ikën. Jo. Ai, ne duhet ta detyrojmë të ikë. Ta kemi të qartë këtë. Mos presë askush që ai ikën. Jo. Ai ka kryer krime të rënda. Ai e di se do t’i duheshin tri jetë për t’u kalbur në burg për krimet që ka kryer, për vjedhjet e paimagjinueshme që ka bërë. Por, ne duhet të qëndrojmë në këmbë dhe të vendosur. Diktaturat, historia tregon se me votë nuk ikin. Kjo është e vërteta.
Por bashkimi në një diktaturë shtrëngon lakun në fyt më shumë se çdo gjë tjetër.
Ndaj miq, të përpiqemi në bashkimin më të madh që kemi njohur ndonjëherë, kundër kësaj të keqeje që nuk e teproj po të them, që në mënyrë të heshtur po na shfaros.”