Disa përfaqësuese afrikane rrezikojnë të mbeten jashtë edicionit të 75-të të konkursit Miss Universe, që do të mbahet më 24 nëntor në Porto Riko, për shkak të kufizimeve amerikane për vizat. Mes tyre është edhe Miss Universe Zimbabëe, Roseanna Hall, e cila ende nuk ka arritur të sigurojë vizën për të udhëtuar drejt territorit amerikan.
Hall ka treguar se prej javësh po përpiqet të marrë miratimin për vizën, ndërsa koha po i mbaron, pasi konkurrentet kanë nisur të mbërrijnë në Porto Riko që prej 8 nëntorit për regjistrimin dhe aktivitetet paraprake.
Ajo bëri të ditur se nuk është e vetmja në këtë situatë, pasi edhe përfaqësuesja e Sudanit të Jugut po përballet me pasiguri për pjesëmarrjen. Ndërkohë, Zambia ka vendosur të tërheqë nga gara përfaqësuesen e saj, Pamela Mubanga, për shkak të pamundësisë për të udhëtuar drejt SHBA-ve.
Vështirësitë lidhen me kufizimet e vendosura nga administrata amerikane ndaj 19 shteteve, përfshirë Zimbabvenë dhe Zambian, përmes Proklamatës Presidenciale 10998, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026. Masat parashikojnë pezullimin e lëshimit të disa kategorive të vizave, përfshirë ato turistike, studentore dhe të emigracionit, si dhe kufizime për kategori të tjera vizash.
Organizatorët e Miss Universe në Zambia kanë theksuar se tërheqja e Mubangës nuk lidhet me probleme personale apo me dokumentacionin e saj, por drejtpërdrejt me kufizimet e udhëtimit të vendosura nga SHBA-të.
Sipas tyre, edhe pesë shtete të tjera afrikane po përballen me vështirësi të ngjashme, pa bërë të ditur emrat e tyre. Finalja e konkursit do të zhvillohet në Coliseum José Miguel Agrelot, në San Juan të Porto Rikos.









