Vendosni fjalën kyçe....

ASK thirrje qytetarëve: Mesazhe mashtruese për llogaritë bankare, mos jepni të dhëna


Autoriteti i Sigurisë Kibernetike u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes me mesazhet që u vijnë në telefon apo rrjetet sociale që pretendojnë se llogaria e tyre bankare është bllokuar.

Sipas ASK-së, mesazhet të tilla kanë si qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.

Njoftimi i ASK-së

“͏Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një rast mashtrimi që përdorte emrin e Bankës së Shqipërisë për t’u dërguar qytetarëve SMS me pretendimin se llogaria e tyre bankare ishte bllokuar. Link-u në mesazh i drejtonte përdoruesit te faqe të klonuara të disa bankave të nivelit të dytë, me qëllim vjedhjen e të dhënave të kartës dhe kodeve të verifikimit.

Si të mbroheni?

– Mos klikoni lidhjet në SMS që pretendojnë se llogaria juaj bankare është bllokuar.

– Mos jepni të dhënat e kartës apo kodet e verifikimit.

– Verifikoni çdo njoftim përmes aplikacionit ose kanaleve zyrtare të bankës suaj.

Banka e Shqipërisë nuk kërkon pagesa apo të dhëna kartash nga qytetarët.

Nëse keni vendosur të dhënat tuaja në një nga këto faqe, kontaktoni menjëherë bankën për të marrë masat e nevojshme”.