Han i Hotit regjistron vlerën më të lartë të eksporteve të kompanive që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë përmes pikave kryesore kufitare tokësore të Shqipërisë, ndërsa Kakavia kryeson në importe.

Të dhënat tregojnë dallime të ndjeshme në vlerën e tregtisë dhe numrin e bizneseve që përdorin korridoret kufitare.

Sipas studimit të Bankës Botërore, “Lidhja e bizneseve me tregjet: Të dhëna nga portet dhe pikat kufitare për qëndrueshmërinë e eksporteve në Shqipëri”, të publikuar në tetor 2026, kompanitë që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë realizuan përmes Hanit të Hotit një vlerë mesatare eksportesh prej 78.55 milionë dollarësh në vit gjatë periudhës 2017–2023.

Kapshtica renditet e dyta, me 56.85 milionë dollarë, e ndjekur nga Kakavia me 51.94 milionë dollarë dhe Bllada me 4.18 milionë dollarë. Hani i Hotit regjistron gjithashtu numrin më të madh mesatar të kompanive që kryejnë të dyja aktivitetet dhe eksportojnë përmes kësaj pike, me rreth 233 subjekte në vit. Kakavia numëron mesatarisht 181 kompani dhe Kapshtica 163.

Nga ana tjetër, Kapshtica ka vlerën mesatare më të lartë të eksporteve për kompani në këtë kategori, me rreth 352,500 dollarë në vit, përkundrejt 334,800 dollarëve në Han të Hotit dhe 284,600 dollarëve në Kakavijë.

Renditja ndryshon në krahun e importeve. Kakavia regjistron vlerën më të madhe mesatare vjetore të importeve të kompanive që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë, me 164.77 milionë dollarë, e ndjekur nga Kapshtica me 127.40 milionë dollarë dhe Hani i Hotit me 80.88 milionë dollarë.

Për kompanitë që vetëm importojnë, Hani i Hotit kryeson për numrin e subjekteve, me mesatarisht 1,450 në vit, por Kapshtica regjistron vlerën më të madhe të importeve, me 55.46 milionë dollarë, kundrejt 53.74 milionë dollarëve në Kakavijë. Kakavia ka vlerën mesatare më të lartë të importeve për kompani në këtë kategori, me rreth 91,100 dollarë në vit, e ndjekur nga Kapshtica me rreth 82 mijë dollarë.

Në tërësi, kompanitë që njëkohësisht importojnë dhe eksportojnë realizojnë përmes katër pikave kufitare importe me vlerë mesatare vjetore prej 378.7 milionë dollarësh, kundrejt 191.5 milionë dollarëve eksporte.

Banka Botërore evidenton gjithashtu dallime në shumëllojshmërinë e mallrave. Në importet e kompanive që kryejnë të dyja aktivitetet, Kapshtica regjistron mesatarisht rreth 1,050 kategori produktesh në vit dhe Kakavia 1,036, sipas klasifikimit doganor gjashtëshifror./ Monitor