Prej më shumë se një viti, nga përfaqësues të mazhorancës parlamentare është hedhur ideja e zvogëlimit të Kuvendit, nga 140 në 101 deputetë. Edhe në media janë shfaqur zëra që kanë artikuluar një ide të tillë, kryesisht e justifikuar nga raporti i të zgjedhurve me numrin e popullsisë dhe kostot financiare. Propozimi për të zvogëluar numrin e deputetëve të Kuvendit nga 140 në 101 mund të duket, në pamje të parë, një çështje e thjeshtë: a i duhen Shqipërisë vërtet 140 deputetë? A nuk do të ishte më ekonomik, më efikas dhe ndoshta më funksional një parlament me 101 anëtarë? Ky shkrim nuk synon të ofrojë argumente në mbështetje apo kundër kësaj ideje, por përpiqet të evidentojë disa teste, dimensione dhe perspektiva, të cilat mund të shërbejnë si kornizë vlerësimi, nëse ky propozim kalon në procesin e shqyrtimit institucional.
Një reformë e tillë nuk duhet parë thjesht si një ushtrim aritmetik. Në një demokraci parlamentare, numri i deputetëve lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si përfaqësohen qytetarët, si shndërrohen votat në mandate, sa hapësirë kanë forcat më të vogla politike, sa efektiv është kontrolli parlamentar mbi qeverinë dhe sa rezistent është sistemi ndaj përqendrimit të pushtetit dhe ndikimeve të interesave të veçanta. Përpara se të diskutojmë nëse 101 është një numër më i mirë se 140, duhet t'i përgjigjemi një pyetjeje më themelore: Çfarë Kuvendi duam të kemi dhe cilat funksione demokratike presim që ai të përmbushë?
Reduktimi nga 140 në 101 deputetë do të thotë 39 deputetë më pak, ose një zvogëlim afërsisht me 28 për qind. Kjo është një ndërhyrje e konsiderueshme në arkitekturën e institucionit kryesor përfaqësues të vendit. Për këtë arsye, barra e argumentimit nuk duhet të qëndrojë mbi ata që pyesin “pse të ndryshojë?”, por në radhë të parë mbi propozuesit: pse pikërisht 101 dhe çfarë problemi kushtetues apo institucional pritet të zgjidhë ky numër?
Së pari, numri i deputetëve është një çështje e përfaqësimit. Funksioni i parë i parlamentit është përfaqësimi. Deputeti nuk është thjesht një votë në sallën e Kuvendit, por një urë institucionale midis qytetarit dhe organit përfaqësues ligjvënës. Prandaj, një nga treguesit që duhet të shqyrtohet është raporti ndërmjet popullsisë, ose më saktë elektoratit, dhe numrit të deputetëve. Me zvogëlimin e Kuvendit, çdo deputet do të përfaqësojë një numër dukshëm më të madh qytetarësh. Por rëndësia e kësaj çështjeje nuk është vetëm matematikore. Pyetja është nëse një deputet që përfaqëson më shumë qytetarë do të jetë njëlloj i aksesueshëm prej tyre dhe nëse lidhja përfaqësues-zgjedhës do të mbetet efektive. Për Shqipërinë kjo çështje duhet parë edhe në kontekstin e lëvizjeve të mëdha demografike, emigracionit, pabarazive territoriale dhe dallimeve ndërmjet qarqeve.
Së dyti, zvogëlimi i numrit të deputetëve në 101 nuk mund të analizohet i shkëputur nga sistemi zgjedhor. Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme e debatit. Efekti i zvogëlimit të numrit të deputetëve varet shumë nga mënyra se si këto 101 mandate do të shpërndahen. Nëse ruhet logjika e zonave zgjedhore ekzistuese, zvogëlimi i numrit të përgjithshëm të mandateve do të zvogëlojë edhe numrin e mandateve që shpërndahen në disa qarqe/zona. Dhe sa më e vogël të jetë madhësia e zonës zgjedhore, aq më e vështirë mund të bëhet për partitë më të vogla që të fitojnë një mandat. Pragu ligjor dhe pragu real i përfaqësimit nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Edhe pa ndryshuar pragun formal zgjedhor, zvogëlimi i numrit të mandateve mund ta ngrejë pragun faktik që një forcë politike duhet të kapërcejë për të hyrë në Kuvend. Pikërisht për këtë arsye, para ndryshimit kushtetues do të ishte e nevojshme të kryhej një simulim. Rezultatet e disa zgjedhjeve të fundit mund të përllogariteshin sikur Kuvendi të kishte pasur 101 në vend të 140 mandateve.
Pyetjet do të ishin shumë konkrete: Sa parti do të fitonin përfaqësim? Sa vota do të mbeteshin pa u përkthyer në mandate? A do të ndryshonte ndjeshëm raporti ndërmjet përqindjes së votave dhe përqindjes së mandateve? Çfarë do të ndodhte në qarqet me më pak mandate? A do të favorizoheshin sistematikisht partitë e mëdha? A do të ishte prodhuar një shumicë parlamentare e ndryshme? Një analizë e tillë do ta zhvendoste debatin nga perceptimet politike drejt fakteve.
Së treti, propozimi në fjalë duhet të mbajë parasysh raportin e pluralizmit kundrejt qeverisjes së qëndrueshme. Mbështetësit e një parlamenti me numër më të vogël mund të argumentojnë se ai mund të zvogëlojë fragmentimin dhe ta bëjë qeverisjen më të qëndrueshme. Ky është një argument legjitim. Por, stabiliteti qeverisës nuk është vlera e vetme kushtetuese. Demokracia parlamentare duhet të sigurojë njëkohësisht qeverisje dhe përfaqësim. Nëse zvogëlimi favorizon sistematikisht partitë e mëdha dhe vështirëson përfaqësimin e alternativave të reja politike, çmimi i stabilitetit mund të jetë reduktimi i pluralizmit. Pikërisht këtu duhet kërkuar ekuilibri: jo parlament sa më i madh, por as parlament aq i vogël sa efektet mekanike të sistemit zgjedhor të eliminojnë një pjesë domethënëse të votave nga përfaqësimi politik. Parimet e evidentuara nga Komisioni i Venecias për zgjedhjet demokratike e vendosin votën universale, të barabartë, të lirë, të fshehtë dhe të drejtpërdrejtë në themel të trashëgimisë zgjedhore europiane. Pra, sfida është të kuptohet nëse konfigurimi konkret prej 101 mandatesh e ruan apo e dobëson efektivitetin e këtyre parimeve.
Së katërti, Parlamenti nuk është vetëm seanca plenare. Ekziston edhe një argument tjetër i përhapur në mediumet publike në favor të reduktimit: “Përse duhen 140 njerëz për të votuar ligjet?” Në pamje të parë duket se argumenti e persupozon rolin e deputetit vetëm te shtypja e butonit të votimit. Puna reale parlamentare përfshin shqyrtimin e projektligjeve, komisionet parlamentare, dëgjesat, amendamentet, kontrollin mbi ministrat, komisionet hetimore, procesin e integrimit europian, shqyrtimin e buxhetit, emërimet kushtetuese dhe diplomacinë parlamentare. Prandaj, një tjetër test duhet të jetë kapaciteti institucional. Nëse Kuvendi zvogëlohet me 28 për qind, çfarë ndodh me komisionet? A do të reduktohet numri i anëtarëve të tyre? A do të duhet që një deputet të jetë aktiv në më shumë komisione? A do të kenë grupet më të vogla parlamentare kapacitet të mbulojnë të gjitha fushat? Dhe, veçanërisht, a do të ketë opozita burime njerëzore të mjaftueshme për të ushtruar kontroll efektiv? Këto pyetje janë akoma më të rëndësishme sepse Shqipëria ka parlament njëdhomësh. Nuk ekziston një dhomë e dytë parlamentare që mund të korrigjojë mangësitë e shqyrtimit legjislativ të dhomës së parë.
Së pesti, propozimi duhet të vlerësohet në lidhje me ndikimin që mund të sjellë te kontrolli parlamentar mbi qeverinë. Pra, testi tjetër është marrëdhënia midis Kuvendit dhe qeverisë. Në demokracitë parlamentare ekziston një tension permanent: qeveria mbështetet te shumica parlamentare, por parlamenti duhet njëkohësisht të kontrollojë qeverinë. Për këtë arsye duhet shtruar pyetja: A e forcon apo e dobëson një Kuvend me 101 anëtarë aftësinë e parlamentit për ta kontrolluar ekzekutivin? Një parlament më i vogël nuk është domosdoshmërisht më i dobët. Por, në një sistem politik ku disiplinimi partiak është i fortë, reduktimi i numrit të deputetëve mund ta bëjë grupin parlamentar më homogjen dhe, potencialisht, të rrisë peshën e strukturave drejtuese të partive.
Së gjashti, kjo na çon te një çështje edhe më delikate: A mundet një parlament më i vogël të jetë më i ekspozuar ndaj ndikimit të interesave private financiare/ ekonomike ? Përgjigjja kërkon kujdes. Nuk ka bazë për formulën e thjeshtë: më pak deputetë = më shumë ndikim të papërshtatshëm në vendimmarrje. Por ekziston një rrezik që duhet analizuar: përqendrimi i vendimmarrjes te një numër më i vogël aktorësh. Shumica absolute në një Kuvend me 140 vende kërkon 71 deputetë. Me 101 vende kërkon 51. Sigurisht, lobimi dhe ndikimi politik nuk funksionojnë si mbledhje individuale votash. Vendimet shpesh formohen brenda komisioneve dhe, sidomos, brenda drejtimit të grupeve parlamentare. Kjo është arsyeja pse çështja bëhet më interesante në nivelin e këtyre strukturave parlamentare. Një projektligj për energjinë, koncesionet, prokurimin publik apo zhvillimin e territorit mund të marrë formën e tij reale përmes një numri relativisht të vogël deputetësh. Nëse parlamenti zvogëlohet, ky rreth vendimmarrës mund të bëhet edhe më i vogël.
Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) e njeh lobimin si mënyrë legjitime përmes së cilës grupet e interesit kontribuojnë me informacion në vendimmarrjen publike. Por, Recommendation on Transparency and Integrity in Lobbying and Influence, e rishikuar në vitin 2024, paralajmëron njëkohësisht për rrezikun e ndikimit të padrejtë kur mungojnë transparenca, integriteti dhe mundësitë e barabarta të grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në procesin e politikëbërjes. Prandaj, pyetja nuk është nëse 101 deputetë mund ‘të kapen’ më lehtë se 140. Pyetja është nëse përqendrimi më i madh i fuqisë vendimmarrëse shoqërohet me mekanizmat e nevojshëm të transparencës dhe integritetit.
Së shtati, diskutimi duhet të kalojë nga numri i deputetëve te integriteti parlamentar. Kjo perspektivë sugjeron që debati kushtetues duhet të shkojë përtej numrit 101. Nëse reduktohet numri i deputetëve, mund të arsyetohet që reforma të shoqërohet edhe me forcimin e mekanizmave mbrojtës: rregullim transparent të lobimit/grupeve të interesit; regjistrim të kontakteve të rëndësishme ndërmjet deputetëve dhe grupeve të interesit; deklarim dhe kontroll efektiv të konflikteve të interesit; transparencë më të madhe të financimit politik; identifikim të grupeve të interesit të konsultuara gjatë hartimit të një ligji; forcim të rregullave mbi dhuratat dhe përfitimet; forcim të transparencës së punës së komisioneve parlamentare. Kjo qasje përputhet edhe me vëmendjen që Organi Monitorues kundër Korrupsionit i Këshillit të Europës (GRECO) i kushton parandalimit të korrupsionit te parlamentarët. Cikli i katërt i vlerësimit të tij përfshin, ndër të tjera, konfliktin e interesit, kufizimin e aktiviteteve të caktuara, deklarimin e pasurive, të ardhurave dhe interesave dhe kontrollin e zbatimit të këtyre rregullave. Problemi, pra, nuk është vetëm sa deputetë vendosin, por edhe nën çfarë rregullash, me çfarë transparence dhe nën çfarë kontrolli ata vendosin.
Së teti, argumenti i kostos duhet vendosur në balancë dhe në kontekst. Një parlament prej 101 anëtarësh kushton më pak se një parlament me 140. Ky është një argument legjitim dhe nuk duhet shpërfillur. Por, as nuk duhet mbivlerësuar. Duhet administruar një llogari transparente: sa është kursimi real që prodhojnë 39 deputetë më pak, pasi zbriten kostot fikse të administratës parlamentare, ambienteve, teknologjisë, sigurisë dhe funksioneve të tjera që do të vazhdojnë të ekzistojnë? Pastaj ky kursim duhet krahasuar me buxhetin e përgjithshëm publik. Nëse përfitimi është kryesisht simbolik, ndërsa kostoja potenciale është më pak përfaqësim ose më pak kapacitet parlamentar, argumenti financiar humbet forcën. Demokracia ka një kosto. Pyetja racionale është nëse kjo kosto prodhon vlerë publike, dhe jo nëse mund të eliminohet.
Çfarë tregon përvoja europiane në këtë drejtim? Krahasimet ndërkombëtare janë të dobishme, por mund të jenë edhe keqorientuese. Mund të gjendet lehtësisht një shtet europian me parlament më të vogël dhe një tjetër me parlament dukshëm më të madh. Nga kjo nuk rrjedh se njëri model është i përshtatshëm për Shqipërinë. Krahasimi duhet të kontrollojë të paktën katër variabla:1) popullsinë dhe elektoratin; 2) sistemin zgjedhor; 3) faktin nëse parlamenti është njëdhomësh apo dydhomësh; 4) funksionet kushtetuese dhe përfaqësuese të parlamentit. Një vend me dy dhoma nuk është drejtpërdrejt i krahasueshëm me Shqipërinë. Po kështu, një sistem me një zonë kombëtare proporcionale mund të përballojë reduktimin e mandateve ndryshe nga një sistem me shumë zona relativisht të vogla. Prandaj, argumenti “vendi X ka 100 deputetë” ka pak vlerë nëse nuk shpjegohet si funksionojnë ata 100 deputetë brenda të gjithë arkitekturës kushtetuese.
Pyetja më e thjeshtë mund të jetë më e rëndësishmja: pse 101? Numri tek ka një element praktik, sepse shmang barazimin numerik në Kuvend. Por kjo nuk mjafton për të justifikuar përmasën e institucionit bazë të përfaqësimit demokratik. Numri duhet të jetë rezultat i një metodologjie dhe jo pikënisja e saj. Në një proces racional reforma do të ecte në drejtim të kundërt: së pari përcaktojmë kriteret → vlerësojmë alternativat → simulojmë pasojat → më pas përcaktojmë numrin. Nëse fillojmë me 101 dhe më pas përpiqemi të gjejmë argumentet që e justifikojnë, ekziston rreziku që reforma kushtetuese të bëhet instrument i një objektivi politik të paracaktuar.
Së nënti, procesi si bëhet reforma kushtetuese ka rëndësi të madhe. Reforma kushtetuese nuk vlerësohet vetëm nga rezultati, por edhe nga procesi që e prodhon. Për këtë arsye, ndryshimi i përmasës së Kuvendit duhet të mbështetet në: konsultim real publik; analiza empirike; ekspertizë kushtetuese; vlerësim të pasojave mbi sistemin zgjedhor; transparencë mbi objektivat e reformës; dhe, idealisht, një shkallë të gjerë konsensusi politik. Vetëm konsesusi dhe dakordësia midis forcave kryesore parlamentare nuk mjafton për ta konsideruar ndryshimin kushtetetus legjitim. Procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese të 2008 shërben si model negativ që duhet të shmanget. Shqipëria ka tashmë një histori të gjatë të opinioneve të Komisionit të Venecias mbi ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore, të cilat shërbejnë së standarde kontrolli në këtë aspekt.
Së fundi, një Kuvend me 101 deputetë mund të funksionojë demokratikisht. Porse, fakti që mund të funksionojë nuk provon se është alternativa optimale për Shqipërinë. Për ta përcaktuar këtë, reforma duhet t'u nënshtrohet testeve të përmendura më lart:
Testi i përfaqësimit: Sa ndryshon raporti ndërmjet zgjedhësit dhe deputetit?
Testi i proporcionalitetit: Çfarë ndodh me përkthimin e votave në mandate?
Testi i pluralizmit: A bëhet më e vështirë hyrja e partive të vogla ose forcave të reja në Kuvend?
Testi territorial: Si preken qarqet më pak të populluara?
Testi institucional: A mundet 101 deputetë t'i kryejnë me të njëjtën cilësi funksionet e komisioneve dhe Kuvendit?
Testi i kontrollit demokratik: A dobësohet aftësia e Kuvendit dhe sidomos e opozitës për të kontrolluar qeverinë?
Testi i integritetit: A përqendrohet vendimmarrja në më pak aktorë dhe a rritet ekspozimi ndaj interesave të fuqishme ekonomike private?
Testi ekonomik: Cili është kursimi real dhe a është ai proporcional me efektet e mundshme institucionale?
Testi procedural: A mbështetet reforma në analiza, konsultim dhe konsensus të mjaftueshëm?
Kushtetuta nuk duhet të projektohet sipas parimit “sa më pak, aq më mirë”, por as sipas idesë se çdo formulë ekzistuese duhet ruajtur përgjithmonë. Ajo duhet të projektojë institucione që përfaqësojnë sa më mirë shoqërinë, kontrollojnë pushtetin dhe ruajnë pluralizmin. Pyetja e vërtetë kushtetuese do të ishte: Sa deputetë i duhen Shqipërisë për të pasur një Kuvend që përfaqëson në mënyrë të drejtë qytetarët, ruan pluralizmin politik, kontrollon efektivisht qeverinë, është rezistent ndaj ‘kapjes’ nga interesa të fuqishme private dhe, në të njëjtën kohë, funksionon me efikasitet? Nëse reforma arrin t'i japë një përgjigje të argumentuar kësaj pyetjeje, numri që do të rezultojë prej saj do të ketë një bazë racionale kushtetuese. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ekziston rreziku që të ndryshojmë një numër në Kushtetutë pa ditur me siguri se çfarë po përmirësojmë në demokracinë shqiptare.







Komente
Komento