Franca, gati për protesta të reja – 70 mijë efektivë në terren, masa ndaj bllokadave
Franca po përgatitet për një tjetër valë protestash, ku qytetarët do të kundërshtojnë problemet në arsim dhe rritjen e kostos së jetesës. Dhjetëra marshime janë planifikuar të shtunën në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa qeveria ka vendosur në gatishmëri rreth 70 mijë policë dhe xhandarë.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, tha se forcat e sigurisë do të kenë të njëjtin nivel angazhimi si në protestën e javës së kaluar, me masa të përshtatura sipas rrezikut në terren.
Ai paralajmëroi se policia do të ndërhyjë ndaj akteve të vandalizmit dhe plaçkitjeve, ndërsa në Paris pritet të marrin pjesë nga 30 deri në 60 mijë protestues.
Në të njëjtën kohë, qeveria ka ashpërsuar qëndrimin ndaj bllokadave të shkollave të mesme, që prej shtatorit janë kthyer në një tjetër vatër pakënaqësie.
Një udhëzim i përbashkët i ministrive të Brendshme dhe Arsimit kërkon shtim të pranisë policore pranë shkollave dhe ndalimin e personave që shkaktojnë trazira.
Drejtuesve të shkollave u është kërkuar gjithashtu të nisin procedura ligjore kur ka dëmtime të objekteve arsimore.
Protestat e nxënësve kanë nisur për shkak të mungesës së mësuesve, klasave të mbipopulluara, kushteve të këqija në shkolla dhe mungesës së mjeteve mësimore. Edhe pse shumica e bllokadave kanë qenë paqësore, në disa raste janë shënuar përleshje dhe dëmtime të pronës, me nxënës dhe punonjës të arsimit të lënduar.
Ndërkohë, sindikata e drejtuesve të shkollave u ka bërë thirrje anëtarëve të saj të protestojnë para institucioneve arsimore kundër dhunës, ndërsa qeveria kërkon rikthimin e normalitetit në shkolla
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




